Vizitat e fundit të përfaqësuesve evropianë nënkuptojnë proces të plotë të angazhimit të Bashkimit Evropian për ta ndihmuar vendin që të adresojë reformat urgjente prioritare. Kështu deklaroi zv/ kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, duke i cilësuar këto vizita si një proces komplementar. Osmani, duke folur mbi planin aksionar që i është prezantuar komisarit Han, tha se në të përfshihen çështjet të cilat mund të realizohen në këtë periudhë.
“Kemi një planveprim konkret i cili është inkluziv, përfshin pikëpamjet e gjithë të interesuarve në këtë drejtim, kemi qenë ambicioz, por ajo që është më me rëndësi kemi qenë realistik ose jemi fokusuar në atë çfarë mund të realizojmë në këtë periudhë, natyrisht duke u kapur në elementet thelbësore që do të bëjnë ndryshimin ”, ka thënë Osmani.
Sa i përket ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, Osmani tha se është pjesë e prioriteteve në tre mujorin e parë të axhendës së quajtur 369, mirëpo sipas tij, ky është një proces i cili megjithatë duhet të kalojë në procedurë parlamentare dhe siç tha ai, nuk dihet se si do të reagojnë partitë opozitare.
“Është pjesë e tremujorshit të parë, mbyllja e pjesës legjislative të marrëveshjes së Ohrit, natyrisht se procesi duhet të kalojë në procedurë parlamentare dhe këtu nuk e dijmë se si do të reagojnë partitë opozitare, mirëpo është përkushtim I Qeverisë të mbyll këtë temë sa më shpejtë”, vlerëson Osmani.
Kjo axhendë nuk është publikuar akoma, pasi e njejta është në rrumbullakësim e sipër dhe pritet që të kompletohet deri më 1 korrik.
Ajnur Bafqari /SHENJA/

