Tabela në dy gjuhë në të gjitha institucionet shtetërore, shenja komunikacioni në dy gjuhë, drejtim i seancës parlamentare edhe në gjuhën shqipe.
Këto janë vetëm një pjesë e propozimeve të draft-ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe që Bashkimi Demokratik për Integrim ia dorëzoi LSDM-së. Këto detaje i zbardhi profesori universitar Osman Kadriu i cili tha se disa herë u konsultua nga partitë rreth kushtetutshmërisë së propozimeve të caktuara.
“Ajo që është problematike dhe aty ku me siguri nuk do të ketë marrëveshje, janë procedurat gjyqësore dhe procedurat administrative dhe zbatimi i gjuhës shqipe në këto procedura.” tha profesori universitar Osman Kadriu.
Kadriu thotë se kërkohet intervenim në nenin 7 të Kushtetutës, sipas të cilit, gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e vendit, por gjuhë zyrtare konsiderohet edhe gjuha të cilën e flasin të paktën 20% të qytetarëve. Mirëpo sipas tij, duhet të potencohet se bëhet fjalë për gjuhën shqipe.