Dy ditë para Këshillit Evropian më 8 dhjetor kryeministri Zoran Zaev nuk e largon optimizmin se megjithatë është e mundur Bullgaria të heqë dorë nga vetoja e paralajmëruar për fillimin e negociatave inkuadruese për Maqedoninë e Veriut deri në fund të vitit në kuadër të kryesimit gjerman.
E konfirmoi se me Republikën e Bullgarisë janë vazhdimisht të hapura kanalet për komunikim dhe në mënyrë intensive është duke u biseduar për çështjet të cilat janë aktualizuar dhe që vihen si pengesë për pëlqimin për miratimin e kornizës negociuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. E vlerësoi si konstruktiv shfaqjen e ministrit të Mbrojtjes së Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov gjatë një radio interviste dje dhe theksoi se nga biseda duket se Karakaçanov nuk e ka problem ta pranojë faktin për ekzistimin e gjuhës maqedonase dhe popullit maqedonas.
“Ne mbetemi të përgatitur në frymën e miqësisë që t’i ndërtojmë marrëdhëniet e ndërsjella mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe ta ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët. Sinqerisht shpresoj se ende ekzistojnë shanse që të pranohet korniza negociuese dhe të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare për fillimin e bisedimeve të vendit tonë me BE-në. Ekipet e të dyja ministrive të Punëve të Jashtme intensivisht po bisedojnë dhe konsideroj se udhërrëfyesi për të cilin debatohet është bazë e shkëlqyer që të mbetet dera e hapur për zgjidhjen e çështjeve të cilat u gjetën në integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut”, tha Zaevi në intervistën për Kanal 77.
AI është optimist se Bullgaria do të bëjë një hap pozitiv lidhur me eurointegrimet tona, edhe pse, thotë, nuk do të na befasonte dhe duhet të jemi të gatshëm për anulimin e kësaj çështje për çka, thekson, mund të ndikojnë edhe zgjedhjet që vendin e presin në mars të vitit të ardhshëm.
“Unë realisht pres që Bullgaria mike të bëjë një hap përpara. Edhe pse është reale, e dinë edhe vet, e dimë edhe ne se gjithmonë në çdo kapitull mund të ndalojë procesi për të gjitha vendet, kështu edhe me MV. Duke e pasur këtë parasysh kemi plane veprimi, kemi narrative, memorandume se si t’i përshpejtojmë proceset e ndërtimit në miqësi akoma më të madhe midis maqedonasve dhe bullgarëve, por edhe të gjithë qytetarët në RMV. Besoj se mund t’ia dalim në këtë rrugë. Por, siç kam thënë më 11 Tetor, duke e njohur esencën e bisedimeve, nuk do të na befasojë, duhet të jemi të gatshëm se do të anulohet kjo çështje. Bullgaria pati mirëkuptim kur ishin zgjedhjet në RMV, ka zgjedhje edhe në Bullgari. Nuk them se kjo është arsyeja, por nuk është njëjtë sikurse jeni para zgjedhjeve dhe kur nuk jeni para zgjedhjeve”, potencoi Zaev.
Lidhur me përdorimin e mbiemrit “maqedonas”, i cili e bllokoi punën e Komisionit të përbashkët të Maqedonisë dhe Bullgarisë për çështje historike për shkak të interpretimit të ndryshëm të Marrëveshjes së Prespës, Zaev vlerësoi se me Marrëveshja e Prespës qartë e dallon kur ajo përdoret si përcaktues i identitetit tonë. I vjen keq që nuk është arritur progres, për siç vlerëson, mungesën e guximit, por nënvizoi se në pjesën e historisë është punë e ekspertëve dhe profesionistëve, të cilët është i bindur se do të gjejnë zgjidhje.
Një grup i intelektualëve bullgarë në letrën e hapur dërguar kryeministrit Bojko Borisov, ministres së Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në Sofje, si dhe zyrës së BE-së në vendin e tyre kërkuan Qeveria bullgare menjëherë të lejojë fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me BE-në, ndërsa debatet, në vend se për çështje historike, të transferohen në sferën e bashkëpunimit në kulturë, ekonomi, politikë, ekologji… Është i papranueshëm, thonë, kontestimi i kombit dhe gjuhës maqedonase. Nuk është adekuate, konsiderojnë, që të pritet njëra palë në bisedimet të bëjë vetëvrasje politike.
“Jashtëzakonisht shqetësues është fakti që Republika e Bullgarisë e bllokoi fillimin e procesit të bisedimeve të Maqedonisë për anëtarësim në BE, me argument i cili është i pakuptueshëm për marrëdhëniet bashkëkohore ndërkombëtare. Sipas mendimit tonë, Bullgaria do të pësojë dëm në imazh në nivele të ndryshme kombëtare, me pasoja të paparashikueshme. Në pyetje është miqësia, fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi mes të dyja vendeve të cilat janë shtyllat kryesore të marrëveshjes së njëjtë. Përkundër kësaj, manifestimet e vrazhda nga të dyja palët, në nivel të lartë politik, të arrogancës dhe interpretimet afatshkurta historike me shije të gjallë nacionaliste dhe shoviniste “, theksojnë në letër.
Propozojnë si një nga hapat e parë të jetë emërimi i infrastrukturës transportuese mes të dyja shteteve në Korridorin 8, “Goce Dellçev”.
Athina zyrtare, nga ana tjetër, nuk ka ndërmarrë qëndrim për dallimet midis Shkupit dhe Sofjes, ndërsa mesazhet e vetme që vijnë nga Qeveria greke janë se edhe më tej vazhdojnë ta mbështesin perspektivën evropiane të vendeve të rajonit. Në bisedë me korrespondenten e MIA-s nga Athina, profesori Armakolas i analizon zhvillimet e fundit në relacionin Shkup-Sofje, por edhe komenton se nuk është vonë që Greqia të bëjë diçka në mënyrë që të ndihmojë në tejkalimin e dallimeve dhe debllokimin e perspektivës evropiane të vendit tonë.
Ai midis tjerash, shton, se Athina nuk ua bëri qartë me dije partnerëve dhe aleatëve se Marrëveshja e Prespës, gjegjësisht “marrëdhënia e re strategjike me Maqedoninë e Veriut” dhe stabiliteti dhe përparimi i vendit janë zgjedhje dhe interes strategjik që është me rëndësi vitale.
“Nëse do ta kishte bërë këtë, ndoshta do të ishte më vështirë, aq lehtë të vendosen pengesa në rrugën e Maqedonisë së Veriut. Por, nuk është vonë që Greqia të mund të bëjë diçka thelbësore. Mendoj se Athina, madje edhe tani mund ta sqarojë përzgjedhjen e saj për bashkëpunim dhe stabilitet dhe të tregojë se nuk ka mirëkuptim për aktivitetet që e varrosin, në mënyrë direkte ose indirekte. Pasojat nga aktivizimi i këtillë i Athinës do të jenë pozitive për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit”, thekson Armakolas.




