Mefail Ismaili
– Advertisements –
Partitë opozitare reagojnë ashpër për mungesën e përgjegjësisë për tragjedinë në Bullgari me autobusin e “BESA Trans”, në të cilin e humbën jetën 45 persona. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, thotë se ngjarja në Bullgari dëshmon krimin dhe korrupsionin që bëhet në institucionet e shtetit.
“Kjo ngjarje jo e mirë është vetëm vazhdim i korrupsionit dhe mosfunksionimi i institucioneve të shtetit, e cila filloi së pari që nga fatkeqësia në Llaskarcë dhe ai hetimi i gabuar thellësisht në “Durmo Turs”, më pas vazhdoi me kabllon në spitalin modular në Tetovë, para disa ditëve për fat të keq ndodhi kjo tragjedi në Bullgarinë fqinje, për të cilën shprehim keqardhje. Nuk ka asnjë lloj përgjegjësie nga institucionet, nuk ka asnjë lloj përgjegjësie nga institucionet, nuk ka as përgjegjësi morale nga njerëzit që i udhëheqin ata institucione, që për mua personalisht do të thotë turp serioz për ata politikan”, tha Hristijan Mickovski, VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE ka kërkesa konkrete për shmangien e tragjedive me autobus, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me kontrolle më të shpeshta teknike të autobusëve, varësisht edhe nga vjetërsia e tyre. Ngjarjen e komentuan edhe nga Aleanca për Shqiptarët të cilët thonë se papërgjegjësinë, krimin dhe korrupsionin në shtet, qytetarët i paguajnë me jetë.
“Tragjeditë në vendin tonë sa vijnë e shtohen, ndërsa pas çdo tragjedie fshihen keqpërdorime, krim dhe korrupsion. Edhe në këtë fatkeqësi, si edhe në të kaluarat, në shesh dolën aktivitete skandaloze. Një autobus që lëviz nëpër rajon pa licencën e nevojshme, i paevidentuar në regjistrin elektronik e i lejuar nga dogana dhe policia kufitare. Dhe e gjitha kjo përfundoi vetëm me marrjen e licencës së kompanisë dhe shkarkimin e dy doganierëve. Përgjegjësi në këtë rast duhet të mbajnë ata që deri më sot nuk kanë ndjekur dhe kontrolluar punën e transportuesve edhe pse paraprakisht kishim tragjedinë e Llaskarcës ku po ashtu kishte viktima dhe po ashtu u konstatua se ka keqpërdorime dhe lëshime skandaloze teknike”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga Aleanca për Shqiptarët akuzojnë pushtetin se nuk mban përgjegjësi për asnjë tragjedi të shkaktuar kohëve të fundit, nga të cilat jetën e kanë humbur dhjetëra qytetarë./Alsat.mk


