VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin se vendit askush nuk i jep garanci se pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë kushtëzime të tjera për negociatat me BE-në. Deputeti Dragi Kovaçki tha se deklarata e kancelarit gjerman, është transmetuar gabim nga shërbimet e Qeverisë, pasi sipas tij Sholc nuk ka thënë se garanton se nuk do të ketë kushtëzime, por thotë se nuk duhet të ketë.
“Deklarata e kancelarit Scholz është se nuk duhet të ketë kushte të reja, që sigurisht është edhe qëndrim i partisë sonë, por këto nuk janë garanci se nuk do të ketë kushte të reja. Do u rikujtoj se ka pasur deklarata të panumërta, përkëdhelje në supe dhe pas marrëveshjes së Nivicit, pas së cilës Maqedonia nuk mori asgjë dhe është ende në dhomën e pritjes së Bashkimi Evropian”, tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE .
Por kryeministri Dimitar Kovaçevski, gjatë vizitës së tij Berlin edhe njëherë tha se deklaratat e kancelarit Sholc ishin të qarta dhe se Gjermania qëndron në krah të Maqedonisë së Veriut.
“Kancelari ishte shumë i qartë se Gjermania është pas nesh dhe se ajo që është dakorduar me 27 vendet anëtare të BE-së dhe është pjesë e kornizës negociuese është praktikisht ajo që vendet anëtare të BE-së i përmbahen dhe se vendet anëtare të BE-së janë garanci për këtë, 27 vendet anëtare dhe veçanërisht ato që janë më të mëdhenjtë dhe më të fuqishmit në BE, dhe këtu përfshihet Gjermania”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Por nga opozita shqiptare shprehen pesimist se Qeveria është e interesuar që ndryshimet Kushtetuese të ndodhin sa më shpejtë. Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli thotë se Qeveria po zvarrit e dorëzimit të ndryshimeve Kushtetuese në Kuvend, me qëllim që të mos ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Atje ku duhet të diskutohet, në Kuvendin republikan, atje ku jemi ne tani, këtu nuk ka propozim. Në momentin që nuk ka propozim nuk kemi se për çfarë të diskutojmë. Kështu që Qeveria më tepër është duke blerë kohë që sa më tepër ta shtyjë procesin që të mos ketë zgjedhje të parakohshme, që të mund ta shtyjë këtë mandat të vetin Qeverisës deri në fund. E kjo është brenga e saj kryesore se si ta shtyjë mandatin e vet deri në fund, e jo si ti bëjë ndryshimet kushtetuese e si të punojë në të mirë që qytetarëve të vendit”, deklaroi Fadil Zendeli, Lëvizja BESA.
Nga Lëvizja BESA thonë se nëse pjesë e ndryshimeve kushtetuese nuk do të jetë edhe heqja e 20%, atëherë ata nuk do ti mbështesin ndryshimet kushtetuese. /alsat.mk