Partitë opozitare në Maqedoninë e Veriut, janë kundër propozimit të kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi, që për shkak të pandemisë, seancat e Kuvendit të mbahen online.
“Të gjithë së bashku duhet të gjejmë zgjidhje në bazë të Rregullores që Kuvendi të punojë në distancë”, kishte deklaruar kryeparlamentari Xhaferi në një takim me diplomatë perëndimorë, ndërsa idenë e tij e kanë mbështetur partitë e shumicës parlamentare.
“Një person i sëmurë, pavarësisht nëse është deputet apo punonjës i shërbimeve parlamentare, mund t’i izolojë të gjithë deputetët apo të bllokojë punën e Kuvendit. Për ne, si deputetë, puna online jo vetëm që është pranueshme, por edhe e domosdoshme”, kanë bërë të ditur nga Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev.
Megjithatë, opozita konsideron se shumica parlamentare nuk guxon që punën e Kuvendit ta shndërrojë, siç thonë, në zyrë online noterie apo të miratojë ligje sipas dëshirës së pushtetit.
“Nuk duhet të lejohet që shtëpia e demokracisë të shndërrohet në noteri online ku kryetari i Kuvendit, i cili në këtë rast do të ishte noteri kryesor, përmes kompjuterit të tij të konstatojë se kush mungon e kush jo dhe më pas të botohen apo shpallen ligjet sipas dëshirës së pushtetit”, ka deklaruar deputeti i MVRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Opozita maqedonase konsideron se qëllimi i partive në pushtet që puna e Kuvendit të zhvillohet online është që të mos e ketë problemin me mungesën e kuorumit.
Qëndrim të ngjashëm ka edhe opozita shqiptare. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se mbajta e seancave online do t’ia humbte kuptimin debatit parlamentar.
“Është e papranueshme ideja që seancat e Kuvendit të mbahen online. Mendojmë se është një tendencë për ta heshtur opozitën, respektivisht që zëri i opozitës të mos arrijë deri te qytetari. Kjo bie në kundërshtim me shumë ngjarje tjera në shtet, p.sh. shkollat nisin me punë, restorantet punojnë sikur edhe shumë sektorë të tjerë, ndërsa në anën tjetër tentohet që të ndalohet zëri i deputetëve. Mendoj që kjo ka të bëjë edhe me jostabilitetin e shumicës, respektivisht me numrat të cilët i ka shumica parlamentare”, thotë Elmi Aziri nga koalicioni opozitar shqiptar.
Ai thekson se Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do t’i përdorin të gjithë mekanizmat, për të penguar një synim të tillë të partive në pushtet.




