8 June 2018 / 14:54
Reformat e shumë përfolura në gjyqësor, polici dhe burgje mbeten ende të parealizuara. Organizatat qytetare thonë se zbatimi i këtyre reformave pasqyron respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Goce Kocevski nga Shoqata e juristëve të rinj nënvizoi nevojën e shpolitizimit të gjyqësorit dhe përforcimin e kapaciteteve të institucioneve.
Është shumë e rëndësishme të fokusohemi tek përmbajtja, të fokusohemi në atë se a ekziston dëshirë e vërtetë dhe jo vetëm e deklaruar tek elitat politike, tek pushteti ekzekutiv që të largohen nga gjyqësori dhe ta lënë gjyqësorin të jetë i pavarur. Dhe ajo që është shumë e rëndësishme se a ekzistojnë në pushtetin gjyqësor kapacitetet e duhura dhe persona të duhur – tha Goce Kocevski, Shoqata e juristëve të rinj.
Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit thotë se ende shumë punë duhet bërë në mënyrë që të zbatohen reformat e paralajmëruara nga qeveria.
Të drejtat e njeriut veçanërisht risitë që janë në kornizë të proceseve reformuese siç është mbikëqyrja e jashtme në punën e policisë, ajo çfarë ndodh në burgje. Mendoj se këto janë çështje që kanë rëndësi të madhe sepse Maqedonia në vazhdimësi ka marr vërejtje negative veçanërisht kur bëhet fjalë për institucionet e mbyllura dhe trajtimi i policisë – u shpreh Uranija Pirovska, kryetare e Komitetit të Helsinkit.
Përfaqësuesit e sektorit civil shprehën dyshime për realizimin e përpiktë të planit 18 të qeverisë pasi siç thanë shumë çështje të rëndësishme mbeten të pa përmbushura nga plani 3-6-9. Komentet u bënë gjatë prezantimit të rezultateve nga hulumtimi i projektit Rrjeti 23.
Elmedina Aliji