Alsat 2019-09-25T15:50:15+02:00
Shoqata për emancipim dhe barazi të grave “ESE” kërkon që në hartimin e Ligjit të ri për mbrojtje sociale të rriten masat e kujdesit ndaj viktimave të dhunës familjare. Në forumin e mbajtur sot, u theksua se gratë e dhunuara ballafaqohen edhe me sfida të tjera sikurse zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe keqtrajtimet në Qendrat Sociale. Stojan Mishev nga kjo shoqatë thotë se sanksionet janë të ulëta ndaj agresorëve, të cilët përfitojnë nga sistemi siç thotë ai i kalbur i drejtësisë në këtë fushë.
Ajo që rekomandohet dhe duhet të përshpejtohet zbatimi i procedurave penale, në veprat e rënda të agresorëve që shkaktojnë dhunë në familje. Të respektohen afatet ligjore nga gjykatat për të evituar sulmet e vazhdueshme ndaj viktimave gjatë procesit gjyqësorë. Për shembull, kjo nënkupton që një viktimë që pa pësuar dhunë në familje, të ketë ndihmë juridike falas, të lirohet nga pagesat e procesit gjyqësor. Mos të anulohen seancat gjyqësore për të zvarritur procesin në dëm të mbrojtjes së viktimës – deklaroi Stojan Mishev, Shoqata “ESE” .
Nga kjo shoqatë shprehin vërejtje për policinë dhe gjykatat, meqë në rastet e paraqitjes së dhunës ndaj grave, në terren dërgohen policë dhe jo inspektorë të dhunës në familje. Të gjitha këto kërkesa i dëgjuan përfaqësuesit e Gjykatave, Prokurorisë, Qendrave sociale dhe Sektorëve për punë të brendshme. Kurse, Zëvendësministri i Drejtësisë Oliver Ristovski, tha se do t’i pranojnë propozimet e kësaj shoqate dhe të njëjtat do të integrohen në draft-Ligjin e ri për mbrojtje sociale.
Mendoj se Ministria e Drejtësisë do ta mbështesë tërësisht këtë çështje, por vërejtje çdo herë do të ketë. Megjithatë, ne si Ministri e kemi të rregulluar pjesën e procedurës penale, kurse në fushën civile ndryshimet e ligjit janë tani sipas strategjisë për reforma në këtë periudhë vjeshtë-pranverë, do të thotë fundi i vitit 2019 dhe fillimi i vitit 2020 – tha Oliver Ristovski, Zëvendësministër i Drejtësisë.
Nga Shoqata “ESE” kërkojnë reagim të shpejtë ndaj dhunuesve si nga policia ashtu edhe nga gjykata për t’iu shqiptuar masën e kujdesit të shtuar apo arrestit me burg, pasi që sipas tyre shkaktuesit e dhunës vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa gratë e dhunuara detyrohen të dalin rrugëve, apo të strehohen në Qendrat për çështje sociale. Sipas raportit vjetor të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, vjet numri i viktimave nga dhuna familjare ishte 919. Raportimet më të shpeshta ishin për sulmet fizike dhe cenim të sigurisë, ku në mesin e 23 veprave penale renditen lëndimet e rënda trupore, tentim vrasjet, cenimi i lirisë, përdhunimet dhe vrasjet.
Adnan Qaili
Loading…




