Në Ohër Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha se të dy vendet “janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat e propozimit evropian dhe se do t’i implementojnë të gjitha”. Bashkimi Evropian publikoi në formë të shkruar marrëveshjen ose planin e zbatimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuҫiq. Pika e parë është që Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë tha se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.
“Ne erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë me aneksin e zbatimit. Kemi arritur pajtim publik për një aneks i cili do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër, njëjtë si edhe në takimin e fundit në Bruksel po i ik nënshkrimit të marrëveshjes, tash edhe me aneks. I takon BE-së që të gjej mekanizmin për ta bërë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht de ndërkombatarisht të obligueshme.”- deklaroi Albin Kurti – Kryeministri i Kosovës.
“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë defakto mes Kosovës dhe Serbisë. Tash e kemi edhe aneksin e zbatimit të marrëveshjes, mirëpo i ikën nënshkrimit ta marrëveshjes bazë i ikën edhe nënshkrimit të aneksit të zbatimit.”- shtoi Albin Kurti – Kryeministri i Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.
“Sot ka qenë dita ku ne është dashur të arrijmë marrëveshje për planin e zbatimit. Kemi arritur marrëveshje. Unë jam i lumtur për këtë. Megjithatë kjo nuk është e tëra”
“Në planin e zbatimit për ne është me rëndësi themelimi i asociacionit të komunave serbe, është vendosur si obligim prioritar dhe duhet të them se jam i kënaqur me këtë. // Unë e di që pala shqiptare do të flasë edhe sonte sepse unë nuk kam firmosur asgjë dhe nuk kam firmosur asgjë sot. Mendoj se të dy e kemi bërë të qartë se cilat janë linjat e tyre të kuqe dhe cilat janë linjat tona të kuqe, por mendoj se kemi bërë një hap të mirë në një atmosferë konstruktive dhe do të fillojmë të punojmë për diçka.”- tha Aleksandar Vuçiq – Presidenti i Serbisë.
Në cilësinë e vëzhguesit, i pranishëm në takim ishte edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Duke komentuar pajtimin e palëve, Escobar tha se ai hap derën për një integrim më të madh euro-atlantik të të dyja vendeve.