Koncesionerët filluan të vendosin thasë me rërë në plazhet e Ohrit, për t’u mbrojtur nga rritja e shpejtë e nivelit të liqenit. Niveli është shtatë centimetra mbi normalen dhe është 693.82 metra mbi nivelin e detit. Nga e hëna deri me sot niveli i liqenit është rritur për gjashtë centimetra. Janë reduktuar në mënyrë drastike edhe hapësirat e plazhit.
“Ekziston rreziku i prishjes së objekteve tona, siç ishte 5-6 vjet më parë. U bëj thirrje institucioneve përkatëse për lëshimin më shpesh të sasive të mëdha të ujit nga liqeni, që mos të vijë deri te dëmet më të mëdha në objektet tona, shtëpitë, restorantet, shtigjet”, thotë Tome Trimçev, koncesioner i plazhit në Ohër.
Aktualisht është formuar grup pune me përfaqësues të Ohrit dhe Strugës, që do ta ndjekin situatën dhe nivelin e liqenit. Nga kompania shtetërore për prodhimin e energjisë elektrike ELEM, thonë se liqeni i Ohrit maksimumi mundet të arrijë 694 metra mbi nivelin e detit.
“Ne do të përpiqemi dhe bëjmë përpjekje që të mos arrijë në 694 m. E përpunojmë ujin që vjen në liqenin e Ohrit, por një pjesë e atij uji shkaku i fluksit mbahet. Bëjmë përpjekje ta mbajmë, por duke mos bërë dëm në Ohër apo Strugë”, deklaroi drejtori i ELEM-it Dragan Minovski.
“Vigjilenca jonë më e madhe është në drejtimin e lumenjve dhe kanaleve që derdhen në liqen. Ne nuk kishim tender vitin e kaluar dhe nuk janë pastruar kanalet ashtu siç duhet. Por ne gjithë kohën e kemi monitoruar situatën”, deklaroi kryetar i komunës së Ohrit Jovan Stojanoski.
Nga ELEM-i thanë se ujërat e mëdha megjithatë do sjellin prodhim më të lartë nga hidrocentralet, duke prodhuar energji më të lirë elektrike, që në fund do të rezultonte me çmim më të lirë të energjisë elektrike për konsumatorët.

