Anëtarët e opozitës në Komisionin e Jashtëm kanë kërkuar paraqitjen urgjente të ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, për të dhënë shpjegime për atë që ata i quajnë dy incidente të rënda diplomatike.
Deputetët demokratë në kërkesë evidentojnë se ka pasur një komunikim me diplomatë të Republikës së Shqipërisë, ku sipas tyre ministri Hoxha ka udhëzuar që znj. Donika Gërvalla (Ministre e Drejtësisë dhe ish-ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës) t’i pamundësohet çdo komunikim dhe vizitë me ministra të tjerë të Republikës së Shqipërisë.
Ndërsa, sipas deputetëve demokratë, rasti i dytë është ai i një mesazhi të publikuar që pretendohet se është i ministrit Hoxha, në të cilin ata thonë se ka përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë se vetë ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, është përgjigjur më herët në lidhje me këtë mesazh, duke deklaruar se nuk ka asgjë të vërtetë në ato pretendime.
“Nuk ka asgjë të vërtetë në ato mesazhe, nuk do më tërhiqni ku doni ju, unë kam evoluar, Shqipëria është duke ecur në rrugën e BE dhe nuk do merrem me tymnaja. Unë i kam bërë të gjitha sqarimet e mia dhe do doja të përdorja një shprehje: u ngrit kjo tymnajë dhe u pamë! Jam i hapur për të takuar në çdo kohë e rrethanë, qoftë kur biem dakord, qoftë kur kemi gjëra për të biseduar, edhe nëse nuk biem dakord! Nuk ka asnjë lloj interpretimi që vlen mbi atë që duam të ndërtojmë, mbi atë që biseduam sot e do të bëjmë. Nuk ka asnjë tymnajë që mund të hyjë në mes nesh, që mund të na zërë sytë për të parë atë që është e përbashkët”, tha Hoxha të hënën për gazetarët.
Disa ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një postim në “Facebook” ndau një mesazh ku pretendonte se ministri Ferit Hoxha iu referohet shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si “idiotë”.


