Ndërkohë që Maqedonia përgatitet për zgjedhjet lokale më 19 tetor, raporti i fundit i ODIHR vë në dukje se shumë nga rekomandimet e mëparshme për përmirësimin e procesit zgjedhor ende nuk janë zbatuar. Sipas raportit të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të OSBE-së, Kodi Zgjedhor shpesh ndryshohet para zgjedhjeve dhe ndryshimet e fundit të mëdha janë bërë në prill 2024, pa ndryshime të mëtejshme të miratuara, përcjell PressOnline.al.
Raporti thekson se disa nga rekomandimet e paplotësuara lidhen me:
• Masat mbrojtëse kundër përdorimit abuziv të burimeve shtetërore;
• Transparencën e financimit të fushatave;
• Përmirësimin e rregullativës dhe mbikëqyrjes së mediave.
ODIHR vëren gjithashtu se shumica e palëve kanë besim në profesionalizmin e administratës zgjedhore, por ekziston shqetësim për burimet e kufizuara financiare dhe njerëzore, veçanërisht në fushat e rëndësishme si siguria kibernetike.
Një nga çështjet e diskutuara është edhe numri i këshilltarëve nëpër komuna, i cili pas popullsisë së ulët sipas censusit të 2021 ka pasur nevojë për rishikim. Megjithatë, udhëzimi për listat e kandidatëve ende nuk ka marrë konsensus brenda Komisionit Zgjedhor, duke lënë të hapur diskutimin për përfaqësimin e komuniteteve joshumicë.
Raporti vëren gjithashtu se zgjedhjet do të mbahen në një mjedis të polarizuar politikisht, pas një riorganizimi të madh politik dhe si test për qeverinë e re pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024. Media është vlerësuar si e larmishme, por e polarizuar, me një pjesë të konsiderueshme të saj që perceptohet e lidhur me interesa politike ose ekonomike.
Për zgjedhjet e ardhshme lokale, ODIHR planifikon të dërgojë një mision vëzhgues që përfshin 24 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurtër për të monitoruar procesin në të gjithë vendin, përfshirë edhe mbikëqyrjen e mediave. (PressOnline.al)