Oda e Stomatologjisë së Maqedonisë ka reaguar publikisht pas informacioneve se Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokuroria Themelore Publike në Shkup ndaj ish-kryetarit të Odës, kryetarit të Komisionit dhe disa anëtarëve të Komisionit për Çështje Profesionale Stomatologjike.
Sipas njoftimit zyrtar, kallëzimi lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve.
Oda e Stomatologjisë shprehu shqetësim serioz për zhvillimet, duke theksuar se dënon fuqishëm çdo formë të sjelljes së paligjshme dhe joetike. Në reagim, institucioni nënvizon se integriteti profesional dhe respekti për ligjin janë bazë e funksionimit të saj.
Në vijim reagimi i plotë i Odës së Stomatologjisë:
Oda e Stomatologjisë së Maqedonisë shpreh shqetësimin serioz për informacionin se Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër ish-Kryetarit të Odës, si dhe kundër Kryetarit të Komisionit dhe anëtarëve për Çështje Profesionale Stomatologjike.
Kallëzimi ka të bëjë me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve.
Oda e Stomatologjisë së Maqedonisë fuqimisht i dënon të gjitha format e sjelljes së paligjshme dhe joetike.
Respekti për ligjin, integriteti profesional dhe standardet etike janë themeli i besimit dhe punës tonë në profesionin e stomatologjisë.
Menaxhmenti aktual po bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente me qëllim sqarimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë.
Në të njëjtën kohë, tashmë po merren masa për të forcuar kontrollet e brendshme, për të rritur transparencën dhe për të avancuar më tej procedurat që lidhen me licencimin dhe edukimin e vazhdueshëm.
Theksojmë se ky rast nuk pasqyron punën e mijëra dentistëve që e kryejnë profesionin e tyre me profesionalizëm dhe me përgjegjësi të lartë.
Oda e Stomatologjisë mbetet e përkushtuar për të mbrojtur integritetin e profesionit dhe për të ofruar kujdes shëndetësor cilësor për qytetarët.
Oda e Stomatologjisë së Maqedonisë.


