
E përditshmja britanike “The Guardian” ka publikuar një artikull nga të dhënat e mbledhura për ndotjen e ajrit me grimcat PM2.5 në nivel botëror, të cilat i ka klasifikuar në bazë të kontinenteve, pa përfshirë Turqinë. Të dhënat e publikuara flasin se qyteti më i ndotur në Evropë është Tetova me 81 mikrogramë të grimcave PM2.5 për një metër kub, me përshkrimin se në Tetovë, vrapimi të bën më shumë dëm se dobi. Qyteti i dytë më i ndotur është Tuzlla në Bosnjë e Hercegovinë me 65 mikrogramë të grimcave PM2.5 ndërsa në vendin e tretë është sërish një qytet nga Maqedonia, respektivisht kryeqendra e saj Shkupi me 45 mikrogramë të grimcave PM2.5. Të dhënat e “The Guardian” janë marrë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në bazë të të cilës qyteti më i ndotur në botë është Zaboli i Iranit me 217 mikrogramë të grimcave PM2.5. Lista e dhjetë qyteteve më të ndotura në Evropë pa Turqinë: Tetovë (Maqedoni) 81 mikrogramë grimca PM2.5 për metër kub, Tuzlla (BeH) 65, Shkupi (Maqedoni) 45, Zywiec (Poloni) 43, Dimitrovgrad (Bullgari) dhe Pljevlja (Mali i ZI) me nga 42, Rybnik (Poloni) dhe Manastir (Maqedoni) me nga 40 dhe Wodzislaw Slaski (Poloni) 39.

