Mbi 140 nxënës të shkollës fillore “Nikolla Karev” të fshatit Nerovë të Komunës së Krushevës edhe sot bojkotuan mësimin. Prindërit përsëritën se nuk do të lejojnë fëmijët në shkollë derisa institucionet përkatëse të lejojnë realizimin e punimeve ndërtimore dhe të legalizojnë objektin e ri shkollor që aktualisht po ndërtohet nga vet banorët e fshatit. Sipas banorëve, çdo tentim për të rrënuar këtë objekt do të pengohet. Nga ana tjetër, kryetari I Krushevës Toni Hristoski tha për Alsat se do të shqyrtohet çdo mundësi që objekti i ri shkollor mos të rrënohet por të vihet në shërbim të nxënësve dhe stafit mësimor.
“Shembja e objektit është nën kompetencë të Komunës së Krushevës. Ne nuk do të ndërmarrim asnjë masë sipas kompetencave për rrënim, sipas Inspektimit që kemi këtu në Krushevë. Do të gjejmë, do të kërkojmë një mënyrë, edhe një herë do të kërkojmë ndihmë nga pushteti qendror, në bashkëpunim dhe koordinim me ta ta zgjidhim këtë problem që po shqetëson banorët tanë të fshatit Nerovë, të bëhet në një mënyrë më të padhimbshme, jo kështu me dhunë, jo me forcë, jo duke kërkuar fajtorë apo diçka të tillë”, tha Toni Hristoski, kryetar I Komunës së Krushevës.
Hristoski, kujton se gjeneza e mos legalizimit të objektit të ri shkollor që tashmë është në ndërtim por edhe atij të vjetër daton shumë vitë më parë, pas ndarjes territorial të vitit 1996.
“Më 28.02.2025 kemi dërguar në Qeveri shkresë përmes të cilës kërkuam që për shkak të bilancit të ndarjes që nga viti 1996, pas ndarjes teritorriale në vend për përcaktimin e zonës sepse pozicioni i atij vendi I takonte shkollës fillore “Liria” të fshatit Zhitoshë të Komunës së Dollnenit, që nuk ishte e qartë prej në fillim ndërkohë ju tregoj se vendi kompetent është komuna e Krushevës. Ka pasur raste në të kaluarën, edhe në komuna tjera si ky shembull I mirë të mund të legalizohet dhe të vihet në shërbim të më të dashurve tanë, në këtë rast janë fëmijët ose në shërbim të stafit që ligjëron”, u shpreh Toni Hristoski, kryetar i Komunës së Krushevës.
Që nga e hëna, banorët e fshatit Nerovë protestojnë para objektit shkollor, pasi policia ka ndaluar punimet ndërtimore në objekt dhe sipas banorëve, po shqyrtohet vendimi për rrënimin e objektit për shkak të mospasjes së lejes për ndërtim nga institucionet. Sipas kryetarit të Komunës së Krushevës, Tome Hristoski, rreth 90% e objekteve në fshatrat e kësaj komune janë pa plan urbanistik, përfshirë edhe objektin e vjetër shkollor ku nxënësit aktualisht ndjekin mësimin. /Alsat.mk