Kategoria më e diskriminuar në Republikën e Maqedonisë Veriore në vitin 2019 janë nxënësit e medresesë “Isa Beu” në Shkup, pjesa e meshkujve dhe femrave. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 1.000 nxënës që ndjekin mësimet në këto medrese, 700 nxënës të rregullt dhe 300 nxënës të çrregullt nuk kanë mundësi që të regjistrohen në universitetet private dhe publike në Republikën e Maqedonisë Veriore pasi që ligji për provimin e maturës shtetërore nuk e parasheh këtë kategori.
Rregullorja e provimit shtetëror parasheh nxënësit që kanë përfunduar vitin e fundit të gjimnazit, arsimit, profesional, shkollave të artit. Por nuk parasheh nxënësit e medresesë.
“Provim shtetëror mund të realizon kandidati i cili ka përfunduar vitin e fundit të gjimnazit, arsimit profesional, përkatësisht shkollave të artit.
Provim shtetëror mund të realizon edhe kandidati i cili paraprakisht ka kaluar maturë shkollore në gjimnaz apo maturë shkollore në shkollë të arteve apo provimin final në arsim profesional, por jo në të njëjtin vit shkollor.
Provim shtetëror mund të realizon edhe kandidati i cili ka kaluar maturën në kuadër të programit për maturë ndërkombëtare apo lloj tjetër të provimit final në arsim të mesëm katërvjeçar. Maturë shtetërore mund të realizoj edhe kandidati i cili ka përfunduar arsim të mesëm katërvjeçar në shtet të huaj dhe ka marrë diplomë të nostrifikuar”.
Nga Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë Veriore për portalin Almakos thuan se janë duke biseduar me qeverinë e Maqedonisë për ta zgjidhur këtë problem. Ky institucion është i hapur dhe është duke bërë tentime të vazhdueshme për këtë problem të trashëguar dhe se shpresojnë se do të gjejnë në mirëkuptim nga ana e institucioneve shtetërore.
Ibrahim Idrizi, drejtor i medresesë “Isa Beu” për portalin Almakos tha se ata veçse kanë arritur që t`i regjistrojnë disa nxënës në universitete, porse ky problem duhet që të zgjidhet në mënyrë të përhershme.
“Bashkësia Islame është në bisedime direkte me qeverinë e Republikës së Maqedonisë Veriore. Nuk e di saktë deri ku kanë arritur bisedimet, por e di se ne disa medresant kemi arritur që t`i regjistrojmë në universitete të ndryshme”, deklaroi Ibrahim Idrizi për portalin Almakos.
Medresanti nga Kumanova, Ejup Xhemaili, që momentalisht është duke ndjekur mësimet në vitin e katërt, për portalin Almakos deklaroi haptas se nuk e ka në plan që t`i vazhdoje studimet në Maqedoni. Njëra prej arsyeve se pse ky medresant dhe nuk ka vendosur që t`i vazhdoje studimet në Maqedoni është edhe ajo se medreseja në këtë vend nuk llogaritet shkollë shtetërore. Pra këtij medresanti dhe plot medresantëve tjerë i privohet e drejta për të studiuar në universitetet publike dhe private në Republikën e Maqedonisë Veriore.
“Unë për vete e kam në plan që jashtë shtetit t`i vazhdoj studimet, ndërsa për në Maqedoni nuk e kam idenë se çka të shkruaj, për shkak se medreseja nuk është shkollë shtetërore”, deklaroi Ejup Xhemaili për portalin Almakos.
Nga zyra për arsim e Universitetit të Tetovës për TV Shenja thuan se kjo kategori e nxënësve nuk mund që të regjistrojnë studimet në këtë Universitet, pasi që janë kategori e padefinuar në aspektin juridik.
“Në bazë të kësaj dispozite ligjore, nxënësit të cilët nuk e kalojnë me sukses maturën shtetërore, nuk do të kenë të drejtë aplikimi dhe regjistrimi në studimet e ciklit parë. Sipas kësaj këtë vit akademik është vështirësuar akoma e më shumë regjistrimi i nxënësve nga shkollat fetare. Statusi i medresesë në vendin tonë është jo i definuar në aspektin juridik dhe nuk është pjesë e sistemit arsimor, andaj vlerësojmë se për këtë arsye nuk mund të aplikohet provimi i maturës shtetërore. Sipas ligjit aktual, për fat jo të mirë këta nxënës në rast se nuk do t’i nënshtrohen maturës shtetërore, nuk do t’i përmbushin kriteret për aplikim në studimet e ciklit parë, përveç nëse deri në periudhën e regjistrimeve nuk do të sillet ndonjë Vendim tjetër nga institucionet përkatëse të vendit ose do të gjendet ndonjë rrugëzgjidhje nga palët e përfshira”.
Portali Almakos u drejtua edhe deri te kabineti i ministrit të arsimit dhe shkencës, z.Arbër Ademi në lidhje me problemin në fjalë. Edhe pas disa tentimeve, deri në momentin e publikimit të kësaj teme nuk kemi arritur që të marrim një përgjigje zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Hamdi Nuhiju/Almakos/