Në seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) për dosjen “Plumbi i artë” ka dëshmuar edhe Krenar Guçe, ish zëvendës drejtori i Policisë së Elbasanit.
Ai deklaroi se fotoja e tij ishte gjetur në telefonin e Nuredin Dumanit dhe zbuloi gjithashtu një bisedë me ish-drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Sipas tij, Nano e kishte paralajmëruar se persona të caktuar kishin qëllime dashakeqe ndaj tij. Për këtë arsye, ai kishte përfituar mbrojtje nga shteti për një periudhë dyvjeçare.
“Gjatë kryerjes së detyrës, më ka thirrur ish-drejtori i përgjithshëm Gledis Nano dhe më është bërë me dije se persona të caktuar kanë pasur qëllime dashakeqe ndaj meje. Kanë pasur foton time në telefon dhe për këtë arsye unë kam pasur mbrojtje nga shteti për 2 vite.”, ka deklaruar ai.
Pjesë nga diskutimi në seancë:
Avokati i Fatos Gosës: Ju kanë kërcënuar gjatë ushtrimit të detyrës?
Krenar Guçe: Gjatë kryerjes së detyrës, më ka thirrur ish-drejtori i përgjithshëm Gledis Nano dhe më është bërë me dije se persona të caktuar kanë pasur qëllime dashakeqe ndaj meje. Kanë pasur foton time në telefon dhe për këtë arsye unë kam pasur mbrojtje nga shteti për 2 vite. Në 5 nëntor 2021 kam pësuar një aksident, theva këmbën. Qëndrova 6 muaj me raport. Nuk më është dhënë shpjegim se kur ishte bërë kërcënimi. Fotoja ime ishte gjetur tek telefoni i Dumanit. Shteti shqiptar më ka dhënë mbrojtje.
Avokati: (Pasi lexon një procesverbal të kqyrjes së hyrjes në Shqipëri nga Rinasi dhe vajtjes në një hotel të Hajdar Bako Çopja në dhjetor 2019) Përse nuk i keni referuar prokurorit emrin e personit që keni kqyrur lëvizjet, Hajdar Bako Çopja?
Krenar Guçe: Procesverbali është i qartë. Ka qenë sekret hetimor. Po ta shikoni në dosje, do ta gjeni edhe procesverbalin që ia kam referuar prokurorit.


