XHABIR DERRALLA
Nacionalizmi i fshehtë është, në shumë mënyra, po aq i dëmshëm dhe destruktiv sa nacionalizmi militant. Nacionalizmi latent ose i fshehtë është relativisht i vështirë për t’u njohur dhe identifikuar, ndërsa akoma më e vështirë, nëse jo e pamundur, për t’u çrrënjosur. Nuk po flas këtu vetëm për qëndrimet “miku im më i mirë nga ushtria ishte shqiptar” ose “edhe Shqiptarët janë njerëz”, të cilat edhe fëmijët e vegjël tashmë e dinë se janë nacionaliste ose që mund të rrjedhin nga rrëfimet nacionaliste për të cilat vetë bartësit shpesh nuk janë në dijeni.
Projekte të paguara shtrenjtë, nacionaliste – mediatiko-joqeveritare
Nacionalizmi i maskuar në mënyrë të ngathët mund të gjendet edhe në projekte të ndryshme mediatiko-joqeveritare të paguara shtrenjtë, në të cilat, nën sipërfaqen e mesazheve për “respektimin e diversitetit”, në mënyrë të hapur “lejohen” qëndrimet, paragjykimet dhe stereotipet e dukshme nacionaliste.
Shembuj të nacionalizmit pak a shumë të fshehtë mund të gjenden kudo, në jetën e përditshme, në programet e lajmeve mediatike, në deklaratat e ekspertëve dhe politikanëve.
Një nga keqkuptimet me motive nacionaliste është praktika e këmbënguljes së përditshme, të vazhdueshme për përqindje – sipas përkatësisë etnike – në sondazhet e opinionit publik. Me përdorimin e dozuar politikisht të statistikave, jo vetëm që nuk tregohet realiteti në vend, por ai deformohet dhe errësohet, natyrisht në favor të propagandës nacionaliste dhe antiperëndimore.
Statistika përmes prizmit etnik
Statistikat shpesh paraqiten përmes një prizmi etnik. Kështu, përsëritja e “zbulimeve të mëdha” se pikëpamjet e maqedonasve dhe shqiptarëve ndryshojnë dukshëm për një sërë çështjesh kyçe, si anëtarësimi në NATO apo BE, tashmë është famëkeq.
Tek shqiptarët përqindja e mbështetjes për BE-në dhe NATO-n është më e lartë, kurse te maqedonasit është më e ulët. Ato dallime në përmasa përsëriten dhe komentohen pafundësisht. Fakti që shumica e maqedonasve etnik ndajnë qëndrimin e bashkëkombësve të tyre shqiptarë, relativizohet ose shpërfillet.
Dallimi në përmasa, pra në përqindjet e mbështetjes, sipas përkatësisë etnike, shërben për të krijuar narrativa nacionaliste. Këto naracione fshihen pas “ekspertizës, objektivitetit dhe statistikave”. Kështu, me apo pa dashje (kryesisht me dashje) shqiptarët s’kualifikohen si qytetarë të këtij vendi.
Të mbivotuar në “vendin e tyre”
Nga këtu, interpretimi “shkencor dhe juridik” se maqedonasit janë të mbivotuar në parlamentin e “vendit/shtetit të tyre” nuk është për t’u habitur, ndër të mos flasim për qëndrimin e fortë nacionalist se një shqiptar nuk mund të jetë ministër i punëve të jashtme.
Nuk ka nevojë për shpjegime të mëtejshme
Në këtë mënyrë arrijmë në mendimin e përhapur se shqiptarët nuk duhet as të marrin pjesë në vendimmarrjen e proceseve kyçe në vend. Nuk ka rëndësi çfarë mendojnë shqiptarët. Ata nuk kanë të drejtë të vendosin!
Pse? Thjesht, sepse nuk janë maqedonas etnik! Keni nevojë për shpjegime të mëtejshme!?
Nacionalizmi po rrjetëzohet në shoqëri,I fshehur në mënyrë jo të shkathët dhe të mjaftueshme, i mbështetur nga “pesha shkencore” e statistikave dhe mendimi professional në mesin e nacionalistëve të rëndë midis ekspertëve, OJQ-ve dhe mediave dhe – shërben si një armë kundër integrimeve euroatlantike dhe kundër karakterit multikulturor të vendit.
Përsëritja afatgjate e përmasave etnike për të mbështetur këto procese, përgatiti terrenin për deklarata ultra-nacionaliste të profesorëve universitarë dhe ekspertëve të të drejtave të njeriut, drejtuesve të organizatave joqeveritare (të pasuruara nga fondet e BE-së) dhe politikanëve “të moderuar”. Deklaratat e tyre, pas shumë vitesh “përpunimi” të opinionit publik, tingëllojnë edhe “të buta”, dhe sigurisht “shumë realiste”./CivilMEDIA