Interesi i qytetarëve dhe kompanive duhet të jetë gjithmonë para atij të shtetit, tha drejtori i Zonës Industriale-Teknologjike Zhvillimore Jovan Despotovski i pyetur për rastin me objektin afarist të Alsat-it, se çfarë sinjali u dërgohet investitorëve vendor dhe të huaj, shkruan Alsat.
Despotovski thotë se nuk dëshiron të komentojë vendimet gjyqësore, por shton se rregullisht në raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe Komisionit Evropian ka vërejtje për jostabilitetin e klimës së biznesit në Maqedoni.
“Qëndrimi im personal, sepse nuk është në kuadër të gjërave ku mund të ndihmoj drejtpërdrejt. Megjithatë, nuk mendoj se interesi i institucioneve duhet të vihet para interesit të kompanive dhe qytetarëve”, tha Jovan Despotovski drejtor i ZIZHT-së.
Nga ana tjetër, zv/ministri i Drejtësisë Agim Nuhiu, thotë se rasti i hapësirës afariste të Alsat-it ka vënë në pikëpyetje imazhin e vendit.
“Po e kam përcjellë nga mediat dhe sigurisht se jemi të shqetësuar, sepse vihet në pikëpyetje edhe imazhi i shtetit. Ne kemi rekomandim edhe të Gjykatës së Strasburgut, pra jurisprudencës evropiane që të kujdesemi për çështjen e sigurisë juridike, vizavi investimeve që duhet të bëhen në të gjitha sferat në vendin tonë, qoftë në fushën e medias apo në segmente të tjerat, të cilat po ashtu në instancën e fundit marrin dimensione edhe të karakterit që përbëjnë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe atributet e një rendit juridik, të sigurisë juridike, pronës private dhe dinjiteti të secilit qytetar”, tha Agim Nuhiu, zëvendësministër i Drejtësisë.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit, me çka shfuqizohet vendimi i Gjykatës Civile dhe hidhet poshtë ankesa e kompanisë “VEVE Group”, pronar i televizionit Alsat, lejon një përmbarues i Ministrisë së Financave të nxjerrë në shitje një pjesë të pronës së televizionit.
Pavarësisht të gjitha provave materiale dhe vendimeve të mëparshme gjyqësore në favor të Alsat-it, është e paqartë pse shteti ende këmbëngul për marrjen e hapësirave. Ky qëndrim i shtetit ndaj një kompanie private, në këtë rast një mediumi me koncesion kombëtar, mund të vlerësohet vetëm si presion në punë dhe raportim./ Alsat.mk