
Municioni i cili u gjet në një bodrum banese në Çair, dyshohet të jetë gjetur në vendbanimin e E.M, vëllai i një ish funksionari. Ministri i brendshëm Agim Nuhiu tha se rasti ende po hetohet, prandaj nuk mund të konfirmojë asnjë dyshim që kishim lidhur me këtë rast. Nuhiu nuk komentoi nëse i dyshuari është arrestuar, vetëm se hetimin po e bën Prokuroria Themelore. Ai vetëm bëri të qartë se municioni është gjetur pas një denoncimi nga një qytetar.
“Pas paraqitjes se në një vend të caktuar në Shkup ka mjete të jashtëligjshme, policia ka marrë masa dhe aktivitete konkrete. Aksioni ende nuk ka përfunduar. Me to po merret edhe prokurori publik. Nuk dua të komentoj asgjë derisa aksioni është në rrjedhë e sipër…”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.
Nuk doni ta komentoni as faktin se i dyshuari është vëllai i një ish funksionari?
“As për këtë nuk dua të komentoj”
Ministria e Brendshme në buletinin e saj të rregullt njoftoi se dje kanë marrë një denoncim se janë gjetur dy kova të mbushura me municion të llojeve të ndryshme, me bomba dore dhe granata. Janë gjetur 19 granata të kalibrit 40 milimetërsh, 12 granata 40 milimetërshe të mbështjella me kuti kartoni, dy bomba dore, një shkrepëse për bombë dore dhe 35 plumba të kalibrit 7,62 milimetra.
Policia tha se po punon në zbardhjen e rastit.
Ferikan Iljazi /SHENJA/
Nuhiu: Po hetohet rasti i municionit në Çair by tvshenjaofficial

