Kryesia e sindikatave përfaqësuese të NTP-së pas mbledhjes së sotme kanë vendosur që nesër të mos nisin grevë, pasi u është premtuar se do t’u paguhen pagat e prapambetura.
“Ne kemi vendosur që t’i japim një shans ekipit drejtues të NTP-së për ta bërë këtë nesër. Qytetarët e qytetit të Shkupit dhe të tjerët që përdorin transportin publik, nesër do të mund të shkojnë lirshëm nga shtëpitë në vendet e tyre të punës pa asnjë ndërprerje”, tha tha Miço Stojanovski nga Sindikata e punëtorëve në komunikacionit dhe lidhjeve.
Por, siç theksoi Stojanovski, nëse deri të mërkurën nuk u paguhen rrogat, ata do të pushojnë së punuari.
Pas paralajmërimeve të grevës, menaxhmenti i NTP-së njoftoi se në ditët në vijim punëtorët do ta marrin pagën e merituar dhe qytetarët e Shkupit nuk do të mbeten pa transport publik.
“Besojmë se qeveria qendrore dhe një pjesë e komunave do të paguajnë detyrimet e papaguara që kanë për shërbimin e ofruar nga NTP për transport të organizuar për kategori të caktuara të udhëtarëve, fonde me të cilat paguhet paga e punonjësve të NTP-së. Presim që sa më shpejt t’i shlyejnë borxhet dhe detyrimet aktuale të vitit të kaluar, në mënyrë që të mos vihet në pikëpyetje puna e rregullt e kompanisë”, njoftoi menaxhmenti i NTP-së.
Stojanovski paraprakisht informoi se në NTP për një kohë shumë të gjatë është vonuar pagesa e pagave për arsye të caktuara. Siç tha ai, 35 ditë nuk e kanë marrë pagën.
“Ne në NTP i servisojmë edhe veturat e Brigadës së Zjarrfikëses së Shkupit dhe Qytetit të Shkupit. Është rritur edhe vëllimi i punës, por Qyteti i Shkupit nuk i ka përmbushur obligimet ndaj nesh në mënyrë permanente me muaj e vite. Ne i respektojmë të gjitha vendimet e Këshillit të Qytetit të Shkupit për shtimin e linjave të autobusëve, për rritjen e vëllimit të punës, dhe 60% e përdoruesve tanë janë përdorues me benefite, pensionistë, studentë dhe në fakt nuk kemi të ardhura, nuk jemi kompani fitimprurëse”, shtoi Stojanovski.


