Veç dy shtetasve shqiptarë, Serbia dëboi edhe aktivistë nga organizata të huaja që po merrnin pjesë në një event në Beograd.
Individët morën pjesë në një konferencë të organizuar nga Erste Foundation, fondacioni më i madh austriak i bankës së kursimeve, dhe ishin nga Kroacia, Sllovenia, Sllovakia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Moldavia, Rumania, Austria dhe Republika Çeke.
Erste rezultojnë të kenë disa bashkëpunime me fondacionin “Shoqëria e Hapur”.
Mediat kroate raportuan gjithashtu se pesë shtetas kroatë kaluan një pjesë të mirë të natës në paraburgimin e policisë së Beogradit me arsyetimin e mbrojtjes së “sigurisë së Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj”.
Zhvillimi vjen në mes të një vale protestash të udhëhequra nga studentët kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Zyrtarët e lartë shtetërorë serbë pretendojnë se bllokadat dhe protestat e studentëve janë nën ndikimin e shërbimeve të inteligjencës perëndimore, me qëllim rrëzimin e Vuçiqit.
Akuzat për përfshirjen e shërbimeve të huaja në protesta u bënë nga vetë Vuçiç. Ai pretendoi se shërbimet e inteligjencës kroate dhe një grup studentësh kroatë ishin të përfshirë në protestat e studentëve.