Bëhet e ditur se që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar 2025, Trump ka iniciuar ndryshime gjithëpërfshirëse që kanë riformuar peizazhin e politikës së jashtme të SHBA-së.
Tërheqja nga Organizata Botërore e Shëndetësisë
Në fillim të mandatit të tij të dytë, Trump nuk humbi kohë duke i dhënë goditjen e tij të parë të madhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), me nënshkrimin e urdhrit ekzekutiv që inicionte tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga agjencia.
Ky veprim nuk ishte befasi, duke qenë se ai e kishte kritikuar organizatën gjatë mandatit të tij të parë, duke e akuzuar atë për keqmenaxhimin e pandemisë COVID-19.
Trump argumentoi se SHBA kishte pësuar vetëm humbje nga përfshirja e saj me OBSH-në, duke e shtyrë atë të ndërpresë plotësisht lidhjet dhe të shpallë një rialokim të fondeve të SHBA-së drejt nismave të tjera shëndetësore, larg mbikëqyrjes së organizmit ndërkombëtar.
Një goditje e dyfishtë: Këshilli i të Drejtave të Njeriut dhe UNRWA
Në një lëvizje tjetër të guximshme, Shtëpia e Bardhë njoftoi më 4 shkurt 2025, se SHBA do të tërhiqej nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, duke e akuzuar atë për miratimin e politikave të njëanshme kundër Izraelit – një pretendim që Trump e kishte përdorur vazhdimisht për të kritikuar këshillin.
Por veprimet e tij nuk u ndalën me kaq; Trump vendosi gjithashtu të ndalojë të gjitha fondet e SHBA-së për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), duke përmendur lidhjet e saj të supozuara me Hamasin.
Agjencia i hodhi poshtë këto akuza, duke këmbëngulur se programet e saj ishin të përqendruara në mbështetjen e refugjatëve në rajonet më në nevojë.
Reduktimi i rolit të agjencisë amerikane
Si pjesë e politikës së tij për të reduktuar përfshirjen e SHBA-së në çështjet ndërkombëtare, Trump i dha një goditje të fortë përpjekjeve për zhvillim global.
Këtë e bëri duke tërhequr shumicën e stafit të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nga detyrat e tyre globale.
Raportohet se vendimi i Trumpit çoi në pezullimin e dhjetëra programeve jetike në fusha të tilla si shëndetësia, arsimi dhe kontrolli i epidemisë në më shumë se 120 vende.
Gjithashtu, vendimi pati pasoja vendore dhe ndërkombëtare, duke shkaktuar një valë paralajmërimesh globale, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Ekspertët e zhvillimit e panë atë si një pengesë të rëndësishme për përpjekjet humanitare, veçanërisht në vendet që mbështeten shumë në fondet e SHBA.
OBT në pikëpyetje: Tërheqje e vonuar apo taktikë presioni?
Pavarësisht tërheqjeve të tij të shpejta, Trump ende nuk ka dalë zyrtarisht nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), megjithëse ai ka kërcënuar vazhdimisht se do ta bëjë këtë.
Në disa deklarata të kaluara, presidenti amerikan shprehu pakënaqësi me strukturën e organizatës, duke pretenduar se ajo favorizonte fuqi të tjera ekonomike në kurriz të SHBA-së.
Në një intervistë të vitit 2018 me Fox News, Trump tha: “Nëse nuk përmirësohen, unë do të tërhiqem nga OBT”.
Ai e përsëriti këtë kërcënim në një intervistë të mëvonshme me Bloomberg, duke thënë se organizata ishte “krijuar për të përfituar të gjithë të tjerët përveç SHBA-së”.
Ndërsa nuk është marrë asnjë vendim zyrtar, vëzhguesit besojnë se administrata Trump mund të përdorë kërcënimin e tërheqjes për të riformuar rregullat e tregtisë globale sipas vizionit të saj.
Ndryshe, këto tërheqje kanë ndezur debat global, me disa që i shohin ato si një zhvendosje strategjike për t’u rifokusuar në interesat kombëtare, ndërsa të tjerë i shohin ato si një shpërbërje sistematike të rolit udhëheqës të SHBA-së në sistemin ndërkombëtar.
Ekspertët ndërkombëtarë kanë ngritur shpejt alarmin për pasojat e mundshme të këtyre vendimeve, veçanërisht për përpjekjet për të luftuar epidemitë, të drejtat e njeriut dhe ndihmën për zhvillim.
Mes këtyre ndryshimeve të shpejta, pyetja më urgjente mbetet: A po riformëson SHBA rolin e saj global në përputhje me vizionin e Trumpit, apo presionet e brendshme dhe të jashtme do të detyrojnë një rivlerësim të këtyre vendimeve? /Telegrafi/