02 July
Një muaj pas përmbytjeve në fshatin Poroj, gjendja me rrugët dhe urat e fshatit ende nuk është normalizuar. Vazhdojnë edhe më tej të mos fillojnë punët për ndërtimin e dy urave në brendi të fshatit, edhe përkundër premtimit se brenda një jave do të rregullohen, ndërkohë që, banorët ankohen se edhe pastrimi nuk është bërë tërësisht, ndërsa makineria është tërhequr.
Kemi problem edhe atë problem të madh, se populli shkojnë në xhami, punojnë arat e në fakt duhet të kalojnë në këmbë. Kjo nuk është e drejtë, premtime të mëdha e realizim aspak”.
Drejtoria që e ka pastrua lumin është dashur të punoj ende këtu, por ato kanë punuar vetëm atje poshtë ku duket, kurse siç ishte fjala për pjesën lart dhe ato poshtë që do bëhen, mirëpo i lanë pas dore e tani thonë nuk ka mjete më, dhe me një fjalë nuk punojnë më e kanë ndaluar punën- u ankuan disa banorë.
Ndërkohë, e rrezikshme vazhdon të mbetet për qarkullim, edhe ura kryesore e rrugës Tetovë Jazhincë, e njëjta, sipas drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, është e dëmtuar tej mase, ndërkohë, edhe përkundër faktit se inspektimi i urës për qëndrueshmëri është bërë, megjithatë, leje apo ndalesë për qarkullim nga Qeveria, gjegjësisht nga Makedonia Pat ende nuk ka ardhur.
Kreu i Bashkësisë lokale, ka kërkuar edhe një herë nga kryeministri Zoran Zaev, që të mbajë premtimin e dhënë gjatë vizitës, dhe të fillojnë punët për pendët mbrojtëse në fshatin Gjermë, që të evitohet një herë e për gjithmonë problemi i përmbytjeve.
“problemi ka mbetur tek ajo që ka premtuar kryeministri që do bëhen dhjetëra diga nga Poroji deri në Gjermë, na u tha se do dalin ekipet në terren që të bëjnë projektin dhe siç na tha kryeministri në 2018 të fillohet me punë, por ende s`kanë dalë në terren, ose të paktën ne nuk kemi informatë për atë- tha Sulejman Ramadani, kryetar i BL Poroj.
Nga vërshimet që ndodhën më 5 Qershor në fshatin Poroj, u dëmtuan mbi 50 hektar tokë e mbjellë, objekte banimi si dhe tri urat e këtij vendbanimi. Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim, për vetëm 25 ditë, në këtë vendbanim ka larguar 100 ton metër kub gurë e dhe.
Bashkim Sulejmani

