Një karrige gjinekologjike për politikanët tanë

Një karrige gjinekologjike për politikanët tanë

Hamdi Nuhiju

A e keni provuar ta kaloni kufirin ilegalisht dhe të kapeni nga policia? Keni dëgjuar për karrigen gjinekologjike e cila përdoret në stacionin policor gjatë kontrollit në kufi?

Mënyra e transportimit të lëndëve narkotike është aq e sofistikuar saqë shpesh herë në kufi nuk gjendet rrugë se si të zbulohet. Por karrigeje gjinekologjike është ilaç ose bar juridik dhe sanksionues për personat që tentojnë për të fshehur gjëra.

Specialistët të dyshuarin e ulin në karrigen gjinekologjike, i veshin disa doreza dhe fillojnë kontrollin detal.

Në karrigen gjinekologjike ulen të dyshuarit për hajni të ndryshme të cilët tentojnë që në mënyrë ilegale ta kalojnë kufirin administrativ të një shteti. Në atë karrige ndjehen rehat specialistët e fushës, pasi që me sa më pak mund zbulojnë gjërat që tentohen të mbulohen. Aq hall të madh kanë disa hajna që gjërat e vjedhura tentojnë t`i fshehin aty ku nuk fshihen.

Në karrigen gjinekologjike ulesh edhe nëse i ke mbi 100 kg, nuk pyetesh ti për këtë vendim, por vendos policia kufitare. Realisht vendos faji për të cilin dyshohesh, ose më saktësisht rruga që ke zgjedhur.

Nëse njëherë e provon karrigen gjinekologjike ndoshta ke dëshirë ta provosh përsëri dhe përsëri dhe përsëri deri në pafundësi. Ulja në karrigen gjinekologjike të shndërrohet në ves dhe pastaj të krijohet një mit në shoqëri për personin e dashuruar pas këtyre karrigeve.

Karriget gjinekologjike funksionin e saj fillestar e kanë për gratë shtatzëna me qëllim që sa më lehtë të kryhet kontrolli i tyre që të ruhet shëndeti i nënës dhe foshnjës e cila pritet të vije në këtë botë. Po ashtu, specialist të caktuar e kanë paraparë përdorimin e saj edhe për zbulimin e hajnive të ndryshme.

Zgjedhjet lokale janë afër. Ata do të mbahen me 17 tetor të vitit 2021. Në zgjedhje janë duke garuar mijëra politikan të përdorshëm dhe të papërdorshëm. Në to po garojnë për herë të parë shumë politikan të rinj, të cilët ndoshta edhe nuk e meritojnë të ulen në karrigen gjinekologjike. Pasi që ende nuk janë sprovuar! Edhe pse, realisht gjërat shikohen në bazë të qëllimit. Nëse qëllimi është ndryshimi për të mirë, edhe politikani për atë qëllim do të shpërblehet. Por nëse qëllimi është që politikani hajn të shkoje për të ardhur politikani tjetër hajn, karrigeje gjinekologjike do të ishte mjet ideal për to.

Cilin politikan të pozitës ose opozitës e kishe ulur në karrigen gjinekologjike?

Me pas pasur në dorë ti dekorimin e kabinetit qeveritar dhe furnizimin e saj me karrige, a i kishe ndërruar të gjitha karriget e ministrave me karrige gjinekologjike?