Ka 7 ditë që janë në grevë urie duke kërkuar të drejtat që u takojnë, megjithatë organet përgjegjëse ende nuk kanë përgjigje në lidhje me kërkesat e të burgosurve për rastin e Kumanovës. I pyetur për këtë Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski tha se drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve është takuar me të burgosurit dhe se po punohet në drejtim të ndërprerjes së grevës, dhe përgjigjes pozitive për lehtësimet që u takojnë.
“Atë ditë që në ministri erdhi kërkesa, gjegjësisht njoftimi se ka persona që po mbajnë grevë një orë pas arritjes së njoftimit drejtori ishte atje për të biseduar me personat që po mbajnë grevë urie dhe kishte një farë “a priori” marrëveshje se duhet të ndërkrehet greva me uri, sepse edhe ishin marrë vesh diçka. Kuptohet se kjo nuk është punë e lehtë, përkundrazi po mundohemi që të merr një kornizë ligjore megjithatë në ndërkohë edhe të respektohen të gjitha protokollet e sigurisë”- deklaroi Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.
“Duam të iu bëjmë me dije se nesër mbushen 7 vite të plota. Jemi në izolim total. Nuk na ofrohet mundësi për risocializim dhe jemi të sigurt se nëse nuk na ndihmon zëri i popullit dhe përfaqësues nga bashkësia ndërkombëtare të akredituar në vend, neve do të vazhdohen të na shkelen të gjitha të drejtat, do të na rrezikohet edhe shëndeti”- tha Arsim Bajrami, i dënuar në rastin Lagjja e Trimave.