“Vetëm pak para mesnatës, në afërsi të një qendre tregtare këtu në Veri të Shkupit, ndodhi një përleshje me armë zjarri, ku si pasojë mbeti i vrarë një person, ndërsa u plagosën dy të tjerë. Në terren siç mund të shihen ende janë të freskëta gjurmët, ndërsa ekipet e hetimit po kryejnë punën e tyre. Sipas informacioneve të policisë bëhet fjalë për një mosmarrëveshje trafiku, ndërsa Alsat mëson se po hetohen më shumë pista”, raporton Ajnur Bafqari, gazetare.
Personi i cili ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat ishte 35-vjeçari, Hebib Bunjaku nga Shkupi.
“Më 11.02.2025, në ora 00:06, nga Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “Shën Naumi i Ohrit” është raportuar se tek ata janë sjellë me lëndime nga armë zjarri H.B. (35) dhe A.D. (35), të dy nga Shkupi, dhe se më vonë H.B. ka ndërruar jetë, ndërsa ndaj A.D. është kryer ndërhyrje dhe është mbajtur për trajtim. Për shkak të plagëve nga arma e zjarrit, në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” është dërguar edhe N.D. nga Shkupi”, njoftojnë nga MPB-ja.
Pas masave të ndërmarra dhe për shkak të dyshimit se kanë marrë pjesë në të shtëna, policia ka arrestuar 4 persona, 39 vjeçarin B.B, 22 vjeçarin N.D, 41 vjeçarin R.R dhe 28 vjeçarin K.T, të gjithë nga Shkupi. Gjithashtu, pas masave të ndërmarra, në vendngjarje janë gjetur dy pistoleta dhe sende të tjera të lidhura me rastin. Nga policia njoftojnë se personat janë mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngrihen kallëzime përkatëse.
Nga prokuroria njoftojnë se në vendngjarje janë marrë prova dhe gëzhoja, ndërsa po shqyrtohen edhe pamjet nga kamerat e sigurisë.
“Sipas të dhënave fillestare, në të shtënat kanë marrë pjesë disa persona, ndërsa nga vendngjarja janë marrë prova dhe gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Janë siguruar gjithashtu pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat po shqyrtohen”, thonë nga Prokuroria.
Gjithashtu, është dhënë urdhër për autopsinë e trupit të viktimës dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rastit. /Alsat.mk