Një burrë i armatosur me thikë plagosi disa persona në stacionin e trenit “Gare du Nord” në Paris të mërkurën në mëngjes, raportoi radioja “France Bleu”.
Sulmuesi është “neutralizuar” nga policia, njoftoi ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, pa dhënë hollësi.
Sulmi ndodhi rreth orës 6 e 40 minuta në mëngjes brenda stacionit të trenit, raportoi radioja “Franceinfo”, duke e cituar operatorin e hekurudhave, SNCF.
Ky stacion është njëri prej më të ngarkuarve dhe lidhje e rëndësishme mes Parisit, Londrës dhe pjesës veriore të Evropës.
Policia e ka siguruar zonën dhe trenat janë duke lëvizur normalisht, raportoi “Franceinfo”.
Televizioni BFM TV tha se policia ka përdorur një pushkë për ta ndalur burrin që plagosi disa njerëz.