28 Janar
Ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit Methju Nimic e ka vlerësuar si pozitiv dhe të rëndësishëm takimin e dy kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras në Davos të Zvicrës. Në një intervistë për “Katimerinin” Nimic ka thënë se ekziston dinamikë që të arrihet zgjidhje e problemit, duke shtuar se në bashkëpunim me Uashingtonin, Brukselin dhe Berlinin mund të arrihet një zgjidhje e pranueshme nga dyja palët.
“Dy vendet kanë mundësi historike përfundimisht të tejkalojnë problemin dhe ajo mundësi duhet të shfrytëzohet. Takimi mes kryeministrave Cipras e Zaev në Davos ishte pozitiv dhe i rëndësishëm, një takim i një rëndësie të veçantë historike, nëse çon drejt zgjidhjes së dallimeve kryesore mes vendeve fqinje. Koha është që të intensifikohen bisedimet lidhur me kushtet për një zgjidhje përfundimtare, me kujdes në çështjet që u përmendën nga dy kryeministrat”, tha Metju Nimic, Ndërmjetës i OKB-së për çështjen e emrit.

