Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara në bisedimet për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic, ka caktuar 11 dhe 12 dhjetorin si data për takim me përfaqësuesit e dy shteteve fqinje. Edhe pse bisedimet fillimisht ishin planifikuar të startojnë gjatë javës së ardhshme, ato u ricaktuan për në dhjetor. Takimi vjen në një klimë që cilësohet si pozitive edhe nga faktori ndërkombëtar por edhe nga politikanët e Maqedonisë dhe Greqisë.
Ndërkohë që pritet takimi, ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar, po ashtu shpehu optimizmin për lëvizjen e gjërave por nuk tregoi konkretisht nëse ka gjasa që ky kontest të merr epilog kah viti i ardhshëm.
Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së
“Ne jemi optimistë kryesisht se gjërat po shkojnë mirë. Reformat që i presim kanë filluar të zbatohen. Sigurisht që vitin e ardhshëm do të dalim me vlerësim se si e shohim rajonin gjatë dekadave të ardhshme. Prej Qeverisë presim që të vazhdojë të tregojë përkushtim dhe rezultate nga reformat. Nëse këto dy gjëra bashkohen, shpresojmë të tregohen rezultate vitin e ardhshëm…Ne nuk kemi pritje të asnjë lloji. Gjithçka varet nga dy shtetet se sa kohë u duhet të gjejnë zgjidhje,nëse munden vitin e ardhshëm”
Gazetarët e pyetën Zhbogarin nëse do të bëjë presion mbi Greqinë për t’ia hequr bllokadën Maqedonisë për antarësim në BE me emrin e tanishëm, por ambasadori tha se ata nuk funksionojnë me presione por lejojnë rrjedhën e frymës bashkëpunuese dhe të kompromisit.
Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së
“Faktori ndërkombëtar asnjëherë nuk punon me presion. Gjithmonë është më mirë që çështjet të zgjidhen me dialog dhe të gjindet zgjidhje nga e cila do të dalin të kënaqura të dyja palët. Nuk është zgjidhje nëse njëra palë fiton më shumë se sa tjetra, pasi gjithë kompromiset bëhen që të ketë pranim nga të dy palët”
Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan, Hojt Ji, javën e kaluar në një debat në Uashington tha se çështja e emrit deri më tani është në nivelin më të lartë dhe më afër gjetjes së zgjidhjes. Shefi i diplomacisë greke, Nikos Koxias, nga ana tjetër, deklaroi se pret që çështja të mbyllet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, se duhet të bëhet një hap dhe se tani ekzistojnë mundësi më të mëdha se më parë që të gjendet zgjidhje me Greqinë. Por ende asnjëra prej palëve nuk ka treguar qartë nëse zgjidhja e kontestit me Greqinë doemos do të thotë që Maqedonia do ta ndryshojë emrin e saj zyrtar.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

