Zv. kryeministri dhe Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski konfirmoi sot në Londër se Maqedonia do të marrë pesë miliardë paund (rreth gjashtë miliardë euro) nga Mbretëria e Bashkuar për të financuar projekte të rëndësishme.
Takimi me përfaqësuesit britanikë të Ministrisë së Financave ishte vendimtar dhe paratë do të ndahen për projekte në transport, shëndetësi, arsim, energji, teknologji dhe mbrojtje të mjedisit.
Nikolloski theksoi tre projekte kryesore: ndërtimin e një hekurudhe me shpejtësi të lartë në Korridorin 10 (Tabanovcë-Gjevgjeli), spitalet në Kërçovë, Tetovë dhe Shtip, dhe një fakultet mjekësor me një konvikt studentor në Shtip.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes “qeveri me qeveri”, e cila do të ratifikohet nga Kuvendi, do të pasojnë negociatat zyrtare për financimin dhe zbatimin.
Vizita vazhdon me takime politike, dhe nesër pritet nënshkrimi i marrëveshjes me Ministrin Britanik të Ekonomisë dhe Eksportit.