Deputeti i LSDM-së dhe ish-ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, ka reaguar pas konfirmimit zyrtar se është marrë vendim për pezullimin e pagesave nga programi IPARD 3. Ai thotë se Qeveria e ka mbajtur publikun në errësirë për ditë të tëra.
“Sot u konfirmua ajo që kam paralajmëruar – IPARD është pezulluar, dhe Qeveria me Ministrinë e Bujqësisë janë përpjekur ta fshehin këtë fakt. Pezullim ka pasur vetëm dy herë, dhe të dyja herët kur në pushtet ka qenë VMRO-DPMNE – në vitin 2011 dhe tani në vitin 2025,” deklaroi Nikollovski.
Ai e quajti këtë vendim “një goditje të rëndë për bujqësinë maqedonase” dhe “turp për Qeverinë”, duke theksuar se partishmëria dhe korrupsioni kanë shkatërruar besimin në institucione.
Sipas tij, gjatë qeverisjes së LSDM-së, programi IPARD ka pasur rezultate rekord me mbi 2,300 investime të realizuara dhe përdorim të plotë të fondeve evropiane.
Nikollovski kërkoi përgjegjësi nga qeveria aktuale dhe pyeti se kush do të mbajë përgjegjësi për dëmet që do të pësojnë fermerët dhe investitorët.


