Numri dy i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe i VMRO DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, në një intervistë për Alsat komentoi arrestimin e ish presidentit shqiptar Ilir Meta.
Nikollovski tha se nuk dëshiron të komentojë apo të ndërhyjë në punët e brendshme të Shqipërisë, por një shtet demokratik dhe Evropian nuk vepron në atë mënyrë me një ish zyrtar të lartë të shtetit.
“Nikollovski më 18 gusht publikuat një fotografi bashkë me kryeministrin në Ohër, me Ilir Metën për të cilin thoni se është mik i madh i Maqedonisë, mik personal, dhe mik i VMRO DPMNE-së. Më intereson një mendim për arrestimin e tij? Ai dyshohet për korrupsion dhe larje parash”, pyet gazetari Shkëlzen Aqifi.
“Po kishim takim, bëhet fjalë për kryetar të një subjekti politik që bashkëpunonte dhe bashkëpunon me VMRO DPMNE-në, bëhet fjalë për person që ka qenë, kryeministër, president, ministër i jashtëm dhe kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Unë nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Shqipërisë dhe të komentoj nëse ka ndodhur diçka apo jo, ajo është punë e Institucioneve të Shqipërisë dhe nuk mendoj se është e drejtë nga ana ime që të jap koment posaçërisht për punë të cilat nuk i di, por njerëzisht mund të them disa gjëra, dhe qëndroj prapa kësaj që do të them, atë që e pamë në opinion, në televizione, më falni por nuk i ngjan asgjëje, një shtet demokratik nuk vepron ashtu. Nëse ndokush është i dyshuar, ka mënyra që të ftohet, të bisedohet. Ato janë pamje që nuk shihen në shtetet demokratike posaçërisht në Evropë”, tha Aleksandar Nikollovski, Ministër i Trasnportit./ Alsat.mk