Ministria e Transportit filloi procedurë për lidhjen e marrëveshjes për komunikacion ajror me Mbretërinë e Arabisë Saudite, me të cilën, siç kumtoi sot, do të vendoset kornizë juridike që do të mundësojë hapjen e aviolinjave të rregullta me këtë shtet.
Mes dy shteteve deri tani nuk ka pasur trafik ajror dhe pritet që vendosja e aviolinjave të rregullta të kontribuojë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, turizmit, këmbimit tregtar dhe marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale.
“Me marrëveshjen krijohen kushte liberale dhe korrekte për punë të transportuesve ajrorë, përmes nxitjes së konkurrencës, çmimeve më të ulëta për udhëtarët, si dhe mundësi për vendosjen e shërbimeve të reja dhe më cilësore. Në të njëjtën kohë, Marrëveshja garanton nivelin më të ulët të sigurisë në komunikacionin ajror në pajtim me standardet ndërkombëtare. Maqedonia dhe Arabia Saudite kultivojnë marrëdhënie miqësore, me angazhim të ndërsjellë për të promovuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, për të rritur investimet, si dhe për të thelluar bashkëpunimin në disa fusha me interes të ndërsjellë”, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Nga Ministria e Transportit theksojnë se lidhja e marrëveshjeve të tilla brenda kornizave ndërkombëtare paraqet instrument të rëndësishëm për promovimin e lidhshmërisë midis vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik, politik dhe institucional.
“Ministria e Transportit do të ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme në periudhën e ardhshme për të filluar procedurat zyrtare për rregullimin e trafikut ajror, në përputhje me rregulloret kombëtare dhe standardet ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil”, thuhet në kumtesë.


