Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski sot në Kuvend deklaroi se pajtohet me qëndrimin se duhet të shtyhet futja e sistemit EES për transportuesit. Nikolloski në seancën për pyetje nga opozita tha se Qeveria e mbështet qëndrimin e Odës se investitorëve të huaj në Maqedoni lidhur me sistemin EES për dyrje dhe dalje nga BE-ja dhe paralajmëroi se pas seancës do të ketë takim me kryetarin e Odës Ekonomike, Branko Azeski, për të njëjtën temë.
Shpresoj se një presion i përbashkët do të japë rezultat. Gjithashtu, në seancën e djeshme të Qeverisë e ngarkuam Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme që sërish t’i drejtohet BE-së me kerkesë për shtyrjen e këtyre rregullave, kështu që shpresoj që ky problem do të zgjidhet, sepse është i madh dhe përbën një goditje serioze për ekonomitë e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Nikolloski.
Ai theksoi se për këtë çështje me Bashkimin Evropian po bisedohet për më shumë se një vit, por gjithashtu tha se nuk po gjejnë mirëkuptim.
“Do t’ua përcjell atyre se ajo që po bëjnë praktikisht do të nënkuptojë vdekjen e ekonomisë në rajon, por gjithashtu do të nënkuptojë edhe mbylljen e shumë investimeve të huaja që funksionojnë në rajon dhe që vijnë pikërisht nga vendet anëtare të BE-së. Qëllimisht përdor fjalën “rajon” sepse kjo ka të bëjë me të gjithë Ballkanin Perëndimor, jo vetëm me Maqedoninë”, tha Nikolloski.
Ai tha se transportuesit nuk mund të nxjerrin viza pune sepse nuk kanë një punëdhënës të vetëm në një shtet anëtar të zonës Shengen, dhe në këtë mënyrë është e pamundur të nxjerrin vizë pune për transportuesit, duke qenë se ata vetëm tranzitojnë përmes zonës Shengen për të arritur në Britaninë e Madhe, Ka shumë probleme që lindin”, shtoi Nikolloski.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit nga opozita Mitko Trajçuleski, Nikolloski tha se dje ka biseduar me përfaqësues të disa sektorëve dhe bizneseve në Maqedoni, dhe se kjo nuk do të ndikojë vetëm tek vendet e drejtpërdrejta të punës që do të mbyllen, por gjithashtu do të ndikojë tek kompanitë, përkatësisht tek normat bazë në punën e tyre.
Nikolloski tha se opinioni duhet të ketë një ide se kemi sfida shumë serioze si rajon, të cilat do të godasin fuqishëm ekonominë.


