Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka pritur këtë të enjte (22 qershor) në një takim,eurodeputetin Andrey Kovatchev, zëdhënës i grupit të PPE për Zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor.
Në këtë takim, Nikolla vlerësoi mbështetjen e Partive Popullore Evropiane për integrimin europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.
“Po forcojmë kontrollin e përputhshmërisë së projektligjeve me acquis të BE për të garantuar një cilësi më të mirë të legjislacionit.
Kuvendi po rrit përgjegjësitë për garantimin e legjitimitetit demokratik të procesit të integrimit, bashkëpunimin mes maxhorancës dhe opozitës, për t’i dhënë procesit karakter gjithëpërfshirës, nëpërmjet bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe faktorë të tjerë jopolitikë”, shkruan Nikolla në rrjetin social Facebook.
Ndërsa europarlamentari Andrey Kovatchev falenderoi Kryetaren Nikolla për ekspozenë dhe kontributin e Kuvendit në procesin e integrimit dhe vuri në dukje se për shkak të rezultateve të dukshme, pas përfundimit me sukses të procesit të screening, Shqipëria meriton të fillojë menjëherë negociatat.
Kryetarja Nikolla dhe eurodeputeti Kovatchev biseduan edhe për bashkëpunimin dypalësh dhe parlamentar mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.
/rtsh.al/