VMRO-DPMNE-ja ka mbajtur tubim në qytetin Berovë, ku nga kjo parti sikur edhe në tubimet e tjera rikujtuan se kriza politike e cila sipas tyre është krijuar nga LSDM-ja, duhet të marrë fund më 11 dhjetor, duke bërë thirrje për një qevri stabile. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, kërkoi dalje masive në zgjedhje dhe mbështetje masive që partia e tij të fitojë 63 deputetë, me të cilët sipas Gruevskit, do të mundësohet formimi i një qeverie stabile. Gruevski gjithashtu bëri thirrje që të mos votohen partitë e vogla, pasi sipas tij, ato janë produkt i LSDM-së. Ai tha më tej se vota për cilëndo parti përveç për VMRo-DPMNE-në, do të jetë votë për kantonizimin e shtetit dhe dygjuhësinë. Gruevski edhe një herë porositi se nuk duhet lejuar RIDEFINIMI i shtetit, sepse kjo nënkupton rrënimin e shtetit.
“Të dielën me daljen masovike në zgjedhje duhet të përfundojë kriza. Të gjithë duan që kriza të përfundojë, të gjithë duan që vendi të stabilizohet dhe të ecim përpara. Të kemi Qeveri stabile e cila do t’i realizojë projektet nga programi “Realisht” i cili përbëhet nga 500 faqe. E dini se edhe më shumë do të bëjmë, sepse gjithmonë kështu veprojmë”, deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.