Ulja e temperaturave dhe shfaqja e ngricave në disa rrugë të vendit, kanë shkaktuar vështirësi serioze në qarkullim për shumë drejtues të automjeteve. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit kanë ndodhur disa aksidente. Më i rëndi ka qenë ai në rrugën rajonale Mavrovë – Dibër, ku dy persona humben jetën. Sipas informatave të MPB-së, automjeti i drejtuar nga A.F. 56 vjeçar nga fshati Vidushë, komuna Mavrovë-Rostushë, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Radikë. Si pasojë e lëndimeve të marra, shoferi dhe pasagjerja M.F. 56 vjeçare kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
“Vdekjen e A.F. 56 vjeçar dhe M.F. 56 vjeçare, të dy nga fshati Vidushë, komuna Mavrovë- Rostushë, e ka konstatuar mjeku nga Ndihma e Shpejtë, ndërsa sipas udhëzimeve të prokurorit publik, automjeti është dërguar policor për kontroll të jashtëzakonshëm teknik, ndërsa trupat e viktimave janë dorëzuar për obduksion”, njoftojnë nga MPB.
Përveç këtij aksidenti fatal, një aksident tjetër me lëndime të rënda trupore ka ndodhur në orën 02:35, të mëngjesit në komunën e Vrapçishtit, ku sipas MPB-së, një automjet udhëtarësh “BMW” me targa të Gostivarit, i drejtuar nga L.B. 27 vjeçar ka goditur një automjet të parkuar “Mercedes”. Me lëndime të rënda kanë përfunduar pasagjeri ndërsa lëndime më të lehta kanë mbetur shoferi dhe pasagjeri i automjet të parkuar.
Për shkak të ngricave në disa rrugë, nga Lidhja AutoMoto, u bën thirrje shoferëve të jenë të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjeteve të tyre e sidomos në rrugët Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë, të cilat janë cilësuar si pika kritike. Për shkak të ngricave, rruga për në Kozjak gjatë ditës së sotme u mbyll për qarkullim.
Edhe nga Qendra për Menaxhim me Kriza u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi në shumë rrugë të vendit ka ngrica ngrira të cilat kanë shkaktuar vështirësi, veçanërisht në zonat malore.
Sipas parashikimeve të fundit nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, nesër priten që temperaturat në mëngjes të jenë nga 2–5 °C ndërsa pasdite nga 7 deri në 14 °C. /Alsat.mk


