Nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit thonë se një person po mbahet në Polici, pas rastit tragjik gjatë ditës së djeshme në Karposh, kur pas rënies nga një ndërtesë e lartë humbën jetën një nënë dhe një fëmijë, përcjell TV21. Sipas hetuesisë, nëna dhe vajza kishin qenë vetëm në banesë.
“Një person është mbajtur në stacion policor dhe, sipas urdhrit të prokurorit, po ndërmerren veprime për hetimin e mundshme të përgjegjësisë penale. Është siguruar urdhër nga gjyqtari i procedurës paraprake dhe gjatë ditës do të kryhet kontroll i detajuar i banesës, e cila menjëherë pas inspektimit është vulosur dhe siguruar. Sipas informacioneve të para, në momentin e ngjarjes, viktima dhe vajza e mitur ishin vetëm në banesë, të kyçura nga brenda”, thonë nga Prokuroria.
Nga Prokuroria thonë se gjithashtu po hetohet nëse ka pasur denoncime për dhunë në familje nga viktima.
“Sot, sipas urdhrit të prokurorit, po zhvillohen intervista me disa persona që kanë njohuri të caktuara, po kryhet nxjerrja e të dhënave nga telefonat celularë dhe po merren pamje nga kamerat e sigurisë dhe regjistrime të tjera nga disa lokacione. Gjatë ditës së djeshme është urdhëruar edhe obduksioni i viktimave. Në lidhje me procedurat e mëparshme, prokurori ka kërkuar raportim të detajuar nga MPB dhe nga Qendra për Punë Sociale me të gjitha denoncimet dhe ankesat e mundshme të viktimës, dhe gjithashtu do të urdhërojë kontroll të brendshëm të MPB-së për të hetuar mënyrën e trajtimit të këtyre denoncimeve”, thonë nga Prokuroria.


