Nga David Hoxha
Megjithëse nuk kam ndonjë çështje për të cilën duhet të shkruaj e të mbaj shënime se “do të më duhet në të ardhmen” – siç më thotë mamaja ime – çuditërisht ndjej dëshirën për të shkruar. Uroj që të mos më ketë zënë ndonjë “sëmundje e çuditshme”, sepse këtu në Londër, të gjithë ose shkruajnë, ose lexojnë. Edhe kur janë në autobus, edhe në këmbë. Çuditem vërtet! Dita në shkollë filloi si zakonisht:
Regjistrimi…
Regjistrim quhet kur në mëngjes shkojmë në klasë dhe mësuesja na thërret emrat. I përgjigjemi për të verifikuar pjesëmarrjen në shkollë. Do të pyesni ju: Pse, nuk e bën apelin çdo mësues kur vjen në orën e mësimit? Përgjigjja është: Jo. Po përse duhet ta bëjë? Shkolla është me kamera gjithandej, me sekretari tek dera e godinës, me mure të larta e kangjella të pakalueshme. Pra, po u futëm, nuk kemi ku “të mbytemi”. Por pjesa e regjistrimit gjithashtu shërben që ne të gjithë të konsumojmë ato bisedat e shkurtra midis shokësh për ditën e kaluar.
Ora e parë – Matematikë
Ufff, do të thoni ju, ose do të kisha thënë unë disa muaj më parë. “Bomba” që në mëngjes. Por me mëngjes. Por Matematika është një nga lëndët më të bukura. Nëse mendoni se po tallem apo bëj shaka, po ju them se kjo është ë vërtetë. Pasi profesori i matematikës na e bën orën e mësimit shumë interesante. Mendojeni për një moment: Profesori sheh se cili nxënës punon më shumë, i jep pikë, dhe në fund të muajit…nxënësi fiton një surprizë. Kur hyj brenda në klasë, shikoj profesorin në lap-topin e tij duke rregulluar slidet e mësimit të ditës. Ne shkojmë në vendet tona, por nuk ulemi. Këtë e bëjmë vetëm (e gjeni dot?) pasi profesori thotë “mirëmëngjes”.
Unë po e ndiqja profesorin me sy dhe po dëgjoja shpjegimin e tij për mësimin e ditës. Në fillim, profesori na shpjegon mësimin. Jo ne duke u ngritur në tabelë apo duke na u kontrolluar detyrat. Pasi shpjegoi se si zgjidhej një problemë, ai na dha një për zgjidhje. Na kërkoi të nxirrnim tabelat e vogla e të bardha, ku të shkruanim përgjigjen. Koha që kemi në dispozicion është vetëm 30 sekonda. Sa stres!, do të thoni ju, vetëm 30 sekonda. Kur kthej kokën, shikoj të tjerët duke shkruar shumë shpejt për të marrë pikë. Aty solla ndërmend vendin tim, Shqipërinë, ku konkurrenca në klasë mes nxënësve ishte shumë, po shumë e vogël. Pasi ne, nxënësit, e kishim mendjen se kush është më i fortë, kush nuk mëson fare dhe kush shet më shumë mend. Për fat të keq! Pasi mbaruan 30 sekondat, të gjithë ngritën tabelat e tyre dhe në to shikoje përgjigje të ndryshme. Profesori më pa mua dhe më kërkoj t’i jepja përgjigjen. Nuk e di nëse ka ndonjë sistem profesori se si i zgjedh nxënësit për t’u përgjigjur, por më duket spontane dhe shumë e këndshme. Dhashë përgjigjen time që ishte e saktë dhe profesori i kërkoi klasës të duartrokiste për atë përgjigje të “mrekullueshme”, sipas tij. Nuk di nëse lëvdatat i kanë të tepërta, sepse nuk kanë ku t’i japin apo janë vërtet kaq të këndshëm e të ëmbël… Por pas kësaj, sa më shumë mendoja, aq më shumë e kuptoja pse nxënësit janë të motivuar për t’u përgjigjur, pasi dëshironin të ndiheshin mirë për arritjet e tyre dhe kjo i bënte të vazhdonin e të mësonin matematikën.
Faqja 156
Unë pranoj që ndoshta mund të ngec në ndonjë ushtrim, por…ne prandaj shkojmë në shkollë. Pasi profesori mbaroi së shpjeguari, na tha të hapnim librin në faqen 156. Në ato momente, përballja me librin, me pjesën ku duhet ta lexosh që ta kuptosh, më solli një ndjesi frike, sepse nuk do të kuptoja asgjë dhe do të rrija i hutuar. Ktheva kokën duke parë të tjerët. Ata po vazhdonin ushtrimet, ndërkohë që unë po vdisja nga frika. Një gjë ishte e qartë: nëse nuk e bëj ushtrimin e klasës, profesori do mendonte se nuk po vlerësoja fjalët e tij. Instiktivisht hapa librin, por me vete po mendoja dështimin në këto ushtrime. E pashë ushtrimin me kujdes. Çfarë kuptova?! Që nuk ishin fare të vështira dhe që mund t’i zgjidhja për pak sekonda. Kështu, duke vazhduar ushtrimet fillova të ndjehesha i sigurt me veten time dhe madje fillova të shikoja se mos shokët e mi të klasës kishin ngecur. Profesori po kalonte mes rreshtave dhe po shikonte se ku ishim me ushtrimet e klasës. Kur kaloi tek unë, ndaloi dhe po shikonte progresin tim. E kuptoi se isha i ri në shkollë. E në raste të tilla ata kanë kujdes të veçantë. Profesori i tha klasës që të gjithë nxënësit që kanë arritur të zgjidhin saktë më shumë se 9 ushtrime do të merrnin një house point (janë pikë që merr kur performon shumë mirë dhe të rritet reputacioni yt para mësuesve). U ndjeva sikur kisha arritur në majën e malit dhe po bërtisja: Ia dola! Dhe kjo ndjesi ishte shumë unike.
Më pyesni…. nëse pyetja juaj është: Kur bëjmë detyra shtëpie dhe teste? Përgjigjja: Profesorët na i vendosin në sistemin online, ku kemi linkun përkatës me videon për shpjegimin edhe një herë (apo njëqind herë) të mësimit. Sapo mbaron ajo, të çon tek provimi, ku rezultatet i shkojnë profesorit të nesërmen. Ah! U shkojnë edhe prindërve në mënyrë elektronike. Ky është pak problem.