Policia e Shtetit dhe Inspektori i Përgjithshëm kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim parandalimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, krimeve mjedisore, punës së paligjshme dhe shkeljeve në tregun e punës, si dhe për rritjen e sigurisë ushqimore, barnave dhe pajisjeve mjekësore.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita tha se zbatimi me përpikmëri i kësaj marrëveshje do të sjellë rezultate të prekshme, pasi siç u shpreh ai “çdo paligjshmëri duhet të goditet”.
“Gjatë kohës që do jemi në terren grupet tuaja mbajnë aktet administrative, ne vazhdojmë me ndjekjen penale të çdo rasti. Jam i bindur se zbatimi i kësaj marrëveshje do sjellë rezultate të prekshme. Kjo gjë nuk bëhet vetëm për ne, por në ndihmë të të gjithë njerëzve, pasi çdo paligjshmëri duhet goditur”, tha ndër të tjera Hita.
Përfaqësuesit e të dyja institucioneve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita dhe Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula vlerësuan se kjo marrëveshje përfaqëson një angazhim të përbashkët për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe për rritjen e besimit të publikut, nëpërmjet një bashkëpunimi më të ngushtë dhe më të qëndrueshëm.
Drejtori i Përgjithshëm theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të mbështetur Inspektoratin, në nivel qendror dhe lokal, si dhe çdo institucion tjetër, me qëllim zbatimin e ligjit dhe rritjen e sigurisë së jetës për qytetarët.
Ndërkaq, Sula vuri theksin te rëndësia e nënshkrimit të marrëveshjes, e cila ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të garantimit të zbatimit të legjislacionit në fuqi, forcimit të shtetit të së drejtës, mbrojtjes së interesit publik, si dhe parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit në fushat me interes të përbashkët.
Fokusi i kësaj marrëveshjeje do të jetë veçanërisht mbështetja e inspektimeve të strukturave të Inspektoratit të Përgjithshëm, inspektorateve qendrore dhe vendore, si dhe strukturave të tjera inspektuese, në sektorë me risk të lartë, si: ndërtimet pa leje, krimet mjedisore, siguria ushqimore, barnat dhe pajisjet mjekësore, puna e paligjshme dhe shkeljet në tregun e punës, duke garantuar ndërhyrje të koordinuar dhe efektive gjatë ushtrimit të detyrës, në rastet e rezistencës fizike, pengimit në kryerjen e detyrave apo për mbrojtjen e personelit, nga subjektet e proceduar të inspektimit apo individë të ndryshëm.
Gjithashtu, marrëveshja synon rritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimit të ekspertizës dhe unifikimit të praktikave të punës, si dhe informimin e publikut, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe respektimin e konfidencialitetit.


