Nxënësit e shkollave fillore dhe fëmijët e moshës parashkollore prej ditës së hënë do të kenë mundësi të ndjekin përmbajtje edukative në tre kanalet e servisit nacional televiziv RTVM, të nxjerra nga programet mësimore sipas të cilave ata aktualisht edukohen në shkolla dhe kopshte, e të cilat përkohësisht janë të mbyllura me vendim të Qeverisë – si pjesë e masave për mbrojtjen e shëndetit publik për shkak të rrezikut për përhapjen e koronavirusit.
Siç njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kjo është zgjidhje që doli nga takimi i sotëm në MASH, ku morën pjesë përfaqësues të disa institucioneve në fushën e arsimit, UNICEF, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësues të udhëheqësisë së Radio Televizionit të Maqedonisë, i cili u organizua në pajtim me konkluzionin e Qeverisë për të gjetur një mënyrë alternative të edukimit të fëmijëve, duhet të vazhdojë edhe në periudhën në vijim derisa procesi formal edukativo-arsimor është pezulluar përkohësisht.
“Duke filluar nga dita e hënë në tre kanalet e RTVM-së në orare të përshtatshme, brenda ditës, për të cilat opinioni do të informohet në një afat sa më të shkurtër, mësues nga shkollat fillore do të zhvillojnë orë të shkurtuara mësimore në të gjitha gjuhët që organizohet mësimdhënia në shkollat e vendit. Ky edukim joformal, i ashtuquajtur TV-klasa, do të realizohet deri në hapjen e sërishme të shkollave dhe kopshteve dhe funksionimit normal të procesit formal edukativo-arsimor të nxënësve dhe fëmijëve të moshës parashkollore. Një grup i posaçëm i punës është i ngarkuar me këtë nismë dhe tashmë është duke e hartuar planin për fillim të suksesshëm dhe rrjedhën e zbatimit të kësaj nisme, njoftojnë nga MASH.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit dhe Qendrës për Arsim Profesional dhe Trajnim, në përputhje me dispozitat e Ligjit për arsim fillor dhe Ligjit për arsim të mesëm, si dhe me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale do të hartojnë plan për organizimin e procesit mësimor deri në përfundim të vitit shkollor, dhe më shumë detale do të shpërndahen me opinionin në periudhën në vijim.
Ministria e Arsimit dhe Shkencën apelon mësimdhënësve që të tregojnë interes dhe në mënyrë vullnetare të inkuadrohen në realizimin e kësaj iniciative.



