Mungesa e transparencës dhe tenderët fiktiv, janë problematikat kryesore me të cilat përballen institucionet publike dhe kompanitë private.
Përzgjedhja paraprake e fituesve është një ‘gangrenë’ për ekonominë dhe financat e shtetit për të cilat ka ngritur zërin edhe Komisioni Europian në raportet e tij monitoruese.
Në raportin vjetor të Komisionit të Prokurimit Publik, thuhet se 9.2% e tenderave të hapur vitin e kaluar janë ankimuar, dhe 61.2% e tyre janë kundërshtuar për mënyrën e vlerësimit të ofertave, ndërsa 38.8% prej tyre janë ankimuar prej dokumenteve të tenderit.
Në total nga 5079 procedura të publikuar në Sistemin e Prokurimeve Elektronike gjatë vitit 2021, me vlerë totale prej 149,3 miliardë lekë, për 566 prej këtyre procedurave me vlerë prej 13,7 miliardë lekë ose rreth 114 milionë euro janë ankimuar pranë komisionit.
Edhe pse vitin e kaluar janë publikuar 1361 tendera më pak se në vitin 2020, numri i ankesave është rritur me 3.7%. Në total për të gjitha garat e shpallura vjet jo vetëm për tenderat, por edhe për lejet minerare apo ankandet janë bërë 768 ankesa.
Gjatë vitit të kaluar për herë të parë janë paraqitur pranë komisionit 2 ankesa për procedurat me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, që ishin po për dokumentet e tenderit dhe për mënyrën e përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë të ftuar në procedurë nga autoriteti kontraktor.
Nga një vëzhgim i hollësishëm në faqen zyrtare të Komisionit të Porkurimeve Pulbike, rezulton se për tre mujorin e fundit të viti 2021 dhe tremujorit të parë të vitit 2022 janë regjistruar gjithsej 202 ankesa. Komisioni i Prokurimeve Publike nuk përcakton se nga cilat kompani apo institucione, apo dhe grupe interesi vijnë këto ankesa, por fakt është se ankesat e regjistruara janë të shumta në numër. Natyrisht pjesa më e madhe e këtyre ankesave përfshihet tek seksioni i Prokurimeve Publike.
Po të vijmë tek vlerësimi i ankesave, na paraqitet një tjetër tablo. Nga 202 ankesa janë marrë në shqyrtim apo janë vlersuar 117 të tilla. Pjesa tjetër rezulton e anuluar. Ankesat përfshijnë edhe dokumentet e tenderave, të cilat sipas tabelës më poshtë janë 81.
Prej kohësh në rrethin e ekonomistëve shqiptar por edhe atyre të huaj është pasqyruar rreziku që i vjen ekonomisë së vendit nga tenderat fiktiv, pra të paracaktuar. Kjo dmëton jo vetëm konkurrencën por edhe arkën e shtetit.
Në ndryshim nga ky vit, vitin e kaluar janë paraqitur ankesa për 223 institucione nga 283 operatorë ekonomik dhe më shumë ankesave janë bërë për Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, për QSUT dhe për garat e shpallura nga KESH.
Institucionet Publike si ‘Fosile’ të akumulimit të parave
Gazeta Shqiptare ka arritur të nxjerë në mënyrë të përmbledhur shumat e parave të grumbulluara nga disa institucione publike në vend, ku për arsye të shkrimit jemi përqëndruar tek Universiteti Publik i Durrësit ‘Aleksandër Moisiu” dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Edhe pse institucione publike, paratë e marra gjatë muajit prill janë mëse të konsiderueshme. Por nga ana tjetër ato nuk reflektojnë cilësinë e kërkaur anga institucionet europiane dhe tregun e punës. Në çdo vit, Shqipëria rendiet nga fundi, madje edhe pas Kosovës, në testin ndërkomëbtar të PISA-s.
Thelën më të madhe të tenderave për muajin prill e ka marrë Univeristeti i Durrësit, ‘Aleksandër Moisiu’. Tendrat janë të ditëve të fundit dhe mbyllen në datën 4 Maj 2022. Dominon kërkesa për të blerë materiale elektirke dhe hidarulike deri në shumën e 35 milionëve lekë të vjetra.
Tenderi tjetër, por i të njëjtës datë përfundimi, shpall shumën prej 69 milionë lekësh të vjetra për blerje materiale pastrimi, elektrike, hidraulike, të infrastruktures, vegla dhe rroba pune për nevoja të Universitetit Aleksander Moisiu, Durrës.


Absurdi i tenderit arrin në rastin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku afati për këtë tendër ka qenë vetëm 3 orë. Pra ky tendet u mbyll në datën 22 Prill 2022 ore 15:00. Tenderi kishte si objekt “Blerje Bileta Trasporti Ajror Tirane-Bruksel-Tirane”. Nuk dihet se kush do ti përfitonte këto bileta dhe sa ishte shuma, pasi një procedurë e tillë nuk është paraqitur nga faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike. Dokumentet e njoftimit janë zhdukur nga faqja e njoftimeve.
Përgatiti: E.D






