Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore njofton qytetarët se duke filluar nga data 15.06.2026 do të hyjnë në fuqi ndryshime të reja në funksionimin e sistemit të pagesës në stacionet e taksave rrugore.
Sipas njoftimit, korsitë e shënuara për MTAG do të përdoren ekskluzivisht vetëm nga automjetet që posedojnë etiketë elektronike për pagesë automatike. Me këtë ndryshim, pagesa me MCard nuk do të lejohet më në këto korsi.
Përdoruesit e MCard do të duhet të përdorin korsitë e tjera të disponueshme në stacionet e pagesës, sipas mënyrës përkatëse të pagesës.
Nga NP “Rrugët Shtetërore” apelojnë që shoferët të respektojnë sinjalistikën vertikale dhe horizontale, si dhe tabelat elektronike informative të vendosura para dhe në vetë stacionet e pagesës. Korsitë janë të kategorizuara qartë sipas llojit të pagesës:
- pagesë elektronike (MTAG / MCARD)
- pagesë me para në dorë (CASH)
Gjithashtu, qytetarët këshillohen të ndjekin sinjalizimin për statusin e korsive:
- shigjeta e gjelbër tregon se korsia është aktive dhe e hapur
- shenja e kuqe “X” tregon se korsia është e mbyllur
Autoritetet paralajmërojnë se mosrespektimi i rregullave dhe përdorimi i gabuar i korsive mund të shkaktojë bllokime në trafik dhe të ndikojë në sigurinë dhe efikasitetin e qarkullimit.
Ky njoftim publikohet me qëllim informimin në kohë të qytetarëve dhe përshtatjen e tyre me ndryshimet e reja në sistemin e pagesës rrugore.

