Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është parë i shqetësuar përderisa ka alarmuar për numrin e madh të votuesve në rajonet e banuara me shumicë arabe. Ai e ka thirrur një takim emergjent të partisë së vet dhe ka kërkuar nga përkrahësit e tij që të dalin në numër sa më të madh për të votuar.
I ndodhur nën presion nga gara e ashpër, kryeministri paralajmëroi se vendi përballet me një qeveri të kontrolluar nga palestinezët, nëse përkrahësit nuk e marrin seriozisht thirrjen e tij për të votuar.
E marta shënoi herën e dytë të zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael brenda më pak se gjashtë muajve për shkak se Netanyahu dështoi ta formonte qeverinë e re pas zgjedhjeve të prillit.
Mediet izraelite raportuan se komisioni qendror i zgjedhjeve ka njoftuar për pjesëmarrje rekorde të popullit në procesin e votimit në tri dekadat e fundit.
Megjithatë, kryeministri, i cili ka bërë fushatë nën hijen e akuzave për tri raste të korrupsionit, paralajmëroi se njerëzit që kanë marrë pjesë në votim nuk janë pjesëtarë të krahut të djathtë.
“Mediet po raportojnë se ka dalje rekorde në zgjedhje të përkrahësve të së majtës dhe dalje të ulët të përkrahësve të së djathtës. Përqindja e votuesve është e madhe te popullata arabe. Kjo nuk është befasuese. Autoriteti Palestinez do të dalë me një deklaratë për të bërë thirrje për rrëzimin tim”, tha ai para një grumbulli njerëzish në stacionin e autobusëve në Jerusalem.
Komisioni qendror i zgjedhjeve i ka angazhuar rreth 3000 vëzhgues, disa prej të cilëve janë të pajisur me kamera në trup, për t’i luftuar parregullsitë në zgjedhjet në të cilat të drejtë vote kanë mbi gjashtë milionë qytetarë, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.




