“Mafia shqiptare më telefonon dhe më thotë: duam 500 kilogramë drogë. Nëse nuk pranon, je i vdekur”.
Janë këto fjalët e një anëtari të bandës Latin Kings, me të cilat BBC hap një artikull mbi narkotrafikun dhe rolin sipas saj në rritje të klaneve shqiptare në Ekuador.
Personi i intervistuar, i prezantuar me emrin Cesar, thotë se u rekrutua nga një skuadër e korruptuar policie për të punuar për mafien shqiptare, ndikimi i të cilës sipas rrjetit informativ britanik sa vjen e rritet.
“Mafia shqiptare ka shtrirë praninë e saj në Ekuador në vitet e fundit, e tërhequr nga rrugët e trafikut që ofron vendi dhe tani kontrollon shumicën e fluksit të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë”, shkruan BBC në edicionin online.
Edhe pse Ekuadori nuk prodhon drogë, 70 për qind e kokainës që qarkullon në botë rrjedh nga portet e saj ka deklaruar presidenti Daniel Noboa.
Lënda narkotike futet në vend nga Kolumbia dhe Peruja, dy vende fqinje dhe dy nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të kokainës.
Sipas policisë lokale, sekuestrimi i sasive rekord të drogës vitin e kaluar tregon se eksportet e narkotikëve janë në rritje.
“Shqiptarëve u duhej dikush për të zgjidhur problemet. Unë njihja rojet e portit, shoferët e kamionëve dhe mbikëqyrësit e kamerave dhe i ndihmova me anë të ryshfeteve”, thotë Cesar, 36 vjeç dhe i anëtarësuar në bandë në moshën 14-vjeçare.
Pasi kokaina mbërrin në Ekuador nga Kolumbia dhe Peruja, vijon BBC, ajo magazinohet derisa bosët shqiptarë mësojnë se një anije me kontejnerë do të niset nga portet e vendit drejt Evropës.
Bandat përdorin tre metoda kryesore për trafikun: e fshehin drogën në ngarkesa para se të mbërrijë në port, hapin kontejnerët brenda në port, ose i lidhin drogën me anije në det.
“Nëse nuk e bën si duhet punën që të kërkojnë shqiptarët, ata të vrasin”, thotë më tej Cesar.
Grupet kriminale, edhe ato të etnive të tjera, tërhiqen në Ekuador për vendndodhjen e tij dhe për eksportet e ligjshme, që përbëjnë një mënyrë të mirë për të fshehur ngarkesa ilegale.
Eksportet e bananeve përbëjnë deri në 66 për qind të konteinerëve që lënë Ekuadorin, rreth 30 për qind prej të cilëve mbërrin në Bashkimin Evropian, ku konsumi i kokainës po rritet.
Duke përmendur si shembull bosin shqiptar Dritan Gjika, i konsideruar ndër më të fuqishmit e mafies shqiptare në Ekuador, autoritetet lokale thonë se ai kishte aksione në kompani frutash në Ekuador dhe kompani importi në Evropë, të cilat i përdorte për trafikun e drogës.
Avokatja Monica Luzarraga, e cila mbrojti një nga ortakët e Gjikës, ka deklaruar se në vitet e fundit eksporti i babaneve në Shqipëri ka arritur kulmin.
Rreth 300 tonelata drogë u sekuestruan vitin e kaluar në Ekuador, sasi që sipas Ministrisë së Brendshme shënoi një tjetër rekord vjetor.