Në 10 ditët e ardhshme qytetarët do ta dinë se a do të paguajnë më shtrenjtë për rrymën elektrike, apo çmimi do të mbetet i njëjtë. Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski për REL ka deklaruar se për 10 ditë duhet të përfundojë analiza e KRrE-së për çmimin e energjisë elektrike, pasi ndërmarrjet energjetike kanë kërkuar rritje të çmimit për pjesën e tyre. Shton se KRrE-ja nuk do ta pranojë atë çfarë është kërkuar nga MEPSO, megjithatë, gjithçka do të kuptohet pas analizës dhe tenderit që do të hapet për ELEM-in dhe EVN-në.
“Në këtë moment, Komisioni Rregullator për Energjetikë i ka analizuar këto kërkesa të cilat janë dorëzuar nga kompanitë dhe prej tani, me përgjegjësi mund të them se ajo çfarë është kërkuar, nuk do të pranohet dhe Komisioni Rregullator për Energjetikë do të bëjë analizë në bazë të së cilës, presim që 10 ditët e ardhshme, të dalë me përllogaritje përfundimtare.”, deklaroi Bislimovski.
Krenar Osmani nga iniciativa qytetare “Boll më” nuk beson se do të ketë rritje të çmimit rrymës. Po sipas tij, nëse kjo ndodh, paralajmëron revoltë përmes protestave.



