Nëntë persona raportohet se kanë mbetur të dëmtuar nga protesta e një ditë më parë e opozitës para Kryeministrisë.
Sipas gazetares Xhensila Kodra, 5 janë nga radhët e uniformave blu dhe 4 janë protestues.
Kujtojmë që protesta e opozitës ditën e djeshme (17 prill) u shoqërua me tensione dhe përplasje me uniformat blu.
Situata u agravua pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës, ku një grup militantësh demokratë hodhën fishekzjarrë dhe molotov drejt godinës së kryeministrisë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i policisë, ku ndryshe nga herët e tjera uniformat blu kanë ndërhyrë me shpejtësi, duke shpërndarë në pak sekonda protestuesit me ujë dhe gaz lotsjellës.
Si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës disa deputetë të PD dhe ish kandidati për deputet, Aulon Kalaja mbetën të lënduar dhe u transportuan në spital.
Nga ana e saj Partia Demokratike akuzoi Policinë e Shtetit se me urdhër të Ramës përdori dhunë ndaj protestuesve.


