Lidhja Demokratike e Kosovës pritet ta zgjedh kryetarin e saj kah mesi i tetorit të këtij viti.
Gazmend Muhaxheri, që drejton procesin e brendshëm zgjedhor, është fort i bindur që Lumir Abdixhiku do të jetë përsëri në krye të partisë më të vjetër kosovare.
Madje jo veç për katër vjet.
closevolume_off
“E kemi zgjedhur kryetarin për nja 15 vjet, ia kemi hjek dertin kryetarit. Lumirin. Pas 15-20 vjetëve e shohim”, u shpreh Muhaxheri.
Nënkryetari aktual i LDK-së e dha këtë përgjigje kur u pyet nëse do të garojë për postin e të parit të partisë.
Lider partiak s`dëshiron të jetë as kolegu i tij i moçëm në parti Lutfi Haziri, ndryshe prej vitit 2021.
Asokohe ky ishte kundërkandidat i Abdixhikut, bashkë me Besian Mustafën, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të Lidhjes, që u mbajt si rezultat i dorëheqjes së Isa Musfafës pas debaklit të pësuar në zgjedhjet nacionale të atij viti.
“E kam bërë të qartë se nuk kandidoj për kryetar. Kam kandiduar në Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor të kaluar kur LDK-ja po kalonte periudhën e saj më të errët politike, por nuk shoh arsye të garoj tash dhe që kandidimi im të trazojë ujërat”, u shpreh Haziri.
Sokol Haliti i LDK-së e mohon që ka pakënaqësi nga procesi i brendshëm zgjedhor në këtë parti.
Ai thotë se kanë bërë program të shkëlqyeshëm dhe procesi po shkon mirë.
“Zgjedhjet e brendshme janë demorkatike, statuare, një organizim i shëndoshë. Nuk ka asnjë pakënaqësi. Po i respektojmë normat statutare dhe po bëjmë program të shkëlqyeshëm”, u shpreh Haliti.
“Është duke shkuar mirë procesi, ka ndoshta pakënaqësi, por janë të vogla”, theksoi Muhaxheri.
“Aktualisht po punojmë në riorganizimin e degëve në disa komuna të Kosovës, përfshirë Prishtinën, e cila do të zgjerohet në disa nëndegë. Po ashtu po merremi edhe me riorganizimin e degëve jashtë Kosovës, ku ka një interesim të jashtëzakonshëm”, potencoi Haziri.
LDK është themeluar më 1989 dhe që atëherë ka pasur katër udhëheqës: Ibrahim Rugovën, Fatmir Sejdiun, Isa Mustafën dhe Lumir Abdixhikun.



