Alsat 2019-09-18T15:28:10+02:00
Me moton “Mjaft Më”, mantel-bardhët protestuan sot kundër dhunës ndaj mjekëve. Ata kërkuan siguri më të lartë në vendet e punës. “Mos na sulmoni”, “Pacientë të nderuar, ne nuk jemi të plotfuqishëm” dhe “Ne jemi me ju” ishin disa nga porositë që mjekët nga Qendra Klinike dërguan tek pacientët. Mjekët thanë se kuptojnë shqetësimin e pacientëve, por faji nuk është tek ata por te sistemi shëndetësor.
Personeli mjekësor tek ne është më pak i paguar në gjithë Evropën. Me dinamikë të lartë të punës, me kushte katastrofale infrastrukturore dhe materiale, ky person në mban në shpinë barën që ky sistem shëndetësor të funksionojë. Pikërisht për shkak të kësaj, nuk është aspak e lejueshme asnjëlloj dhune ndaj personelit mjekësor. Nuk mundet që pakënaqësia ndaj sistemit të shtetit të rezultojë me dhunë fizike e as verbale ndaj mjekëve. Në këtë moment themi, MJAFT ËSHTË. Është koha të ndërmerren masa urgjente dhe sistemore dhe të jemi të mbrojtur. Është koha për shërbime më kualitative për pacientët si dhe personeli të punojë në kushte adekuate pune – tha Nenad Lazarov, Kryetar i Shoqatës së Mjekëve të rinj dhe Specializantë.
Ministri me ligj është i obliguar që t’ju sigurojë të punësuarve siguri në vendin e punës. Nuk mund t’i selektojë se cilat Klinika dhe Spitale në bazë të vlerësimeve të tij personale. Qasjes së tij të përgjithshme i mungon mos kyçja e të gjitha palëve të prekura. SI do t’i mbrojmë ne si Sindikatë të punësuarit nëse sindikata nuk është e kyçur – u shpreh Goran Begoviq, Kryetar i Sindikata e Qendrës Klinike.
Në protestë mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë i cili tha se vendosja e sigurimit profesional nëpër Spitale dhe Klinika është hap i rëndësishëm në parandalimin e incidenteve të tilla.
Ideja për sigurim profesional është vetëm një segment në gjithë procesin. Ai proces përfshin mbindërtim dhe përmirësim të statusit të të gjithë të punësuarve shëndetësor. Ne këtë po e bëjmë përmes rritjes së pagave, si dhe përmirësimin e kushteve të punës -tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Protesta u mbajtën edhe në Tetovë dhe Strugë. Punonjësit shëndetësor kërkuan siguri më të madhe dhe kushte për punë.
Ngremë zërin, kërkojmë nga organet kompetente që të merren masat e duhura për mbrojtjen e dinjitetit tonë madje dhe të jetës tonë. Ne jemi dhe do të jemi në shërbim të pacientëve në mënyrën më korrekte por kërkojmë edhe respektin e tyre – theksoi Mahir Kamberi, Sindikata e Mjekëve – Tetovë.
Protesta vjen disa ditë pas dy rasteve të dhunës, njëri në spitalin e Tetovës dhe tjetri në atë të “Shën Naumit” në Shkup. Lidhja e mjekëve të rinj dhe specializantët, të cilët organizuan protestën e sotme thanë se nëse në një afat të shpejtë nuk shohin rezultate konkrete, do të rikthehen me protesta edhe më të mëdha.
Vjollca Aliti
Loading…




